Sondazhi s’del si tha Trumpi: Shumica dërrmuese e grenlandasve s’duan të bëhen pjesë e ShBA-së - NACIONALE

Sondazhi s’del si tha Trumpi: Shumica dërrmuese e grenlandasve s’duan të bëhen pjesë e ShBA-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sipas një sondazhi të së martës, 85 për qind e banorëve të Grenlandës nuk dëshirojnë që ishulli gjigant nën kontrollin e Danimarkës të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, raportoi gazeta e përditshme daneze, “Berlingske”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha më herët këtë muaj se Grenlanda është jetike për sigurinë e ShBA-së dhe se Danimarka duhet ta dorëzojë kontrollin e ishullit me rëndësi strategjike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sondazhi i kryer nga kompania “Verian” dhe i porositur nga gazetat “Berlingske” në Danimarkë e “Sermitsiaq” në Grenlandë, tregoi se vetëm 6 për qind e banorëve të ishullit e mbështesin idenë që territori të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, ndërsa 9 për qind thanë se ishin të pavendosur.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, tha të martën se ajo ia kishte dhënë mbështetjen e plotë parimit të mbajtjes së respektimit për kufijtë ndërkombëtarë, pas takimeve me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

“Unë jam e kënaqur, nëse sondazhi është shprehje që shumë grenlandas do të donin të shihnin një bashkëpunim të ngushtë të vazhduar me Danimarkën. Ndoshta në një formë tjetër nga ajo që ne e njohim sot, sepse gjithçka ndryshon me kohën” – i tha ajo gazetës “Berlingske” si reagim ndaj rezultateve të sondazhit.

Danimarka tha të hënën se do të shpenzonte 14,6 miliardë krona (mbi 2 miliardë dollarë amerikanë) për fuqizimin e pranisë së saj ushtarake në Arktik.

Para pak ditëve, presidenti amerikan pretendoi se 57 mijë banorët e Grenlandës “duan të jenë me ne”, raporton gazeta “The Guardian”./Nacionale

Lajme të ngjashme