Sondazhi i NBC-së: Kamala Harris del përsëri para Donald Trumpit
Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, ka epërsi prej 5 për qind ndaj rivalit republikan, Donald Trump, sipas një sondazhi të televizionit “NBC News”, publikuar të dielën.
Kur u pyetën për pikëpamjet e tyre për zonjën Harris që nga koha kur ajo është bërë e nominuar e Partisë Demokratike për president, 48 për qind e një mijë votuesve të regjistruar, që u përfshinë në sondazh, thanë se qëndrimi i tyre ishte pozitiv, në krahasim me vetëm 32 për qind në korrik.
Kjo ishte rritja më e madhe e përkrahjes për një politikane në sondazhet e NBC-së që nga ngritja e mbështetjes për presidentin George Bush pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, raporton agjencia “Reuters”.
Kur u pyetën për Trumpin, 40 për qind e të anketuarve thanë se e shihnin atë pozitivisht, në krahasim me 38 për qind në korrik, raportoi televizioni amerikan. Anketa u zhvillua mes datave 13 e 17 shtator dhe kishte margjinë gabimi prej 3 për qind.
Sipas një sondazhi tjetër të televizionit “CBS News”, Harrisi kishte përkrahje për 4 për qind më shumë se Trumpi – 52 me 48 për qind – në mesin e votuesve të mundshëm, me margjinë gabimi prej 2 për qind.
Të gjeturat janë gjerësisht në vijë me rezultatet e sondazheve të tjera në nivel vendi, përfshirë ato të agjencisë “Reuters” dhe “Ipsos”-it, që tregojnë garë të ngushtë para zgjedhjeve të 5 nëntorit.
Në sondazhin e televizionit “CBS News”, që u zhvillua mes datave 18 e 20 shtator, Harrisi u ngrit për 2 për qind pas rezultatit të barabartë – 50 me 50 për qind – në gusht, me gjasë pas performancës në debatin e 10 shtatorit dhe lajmeve të mira nga ekonomia.
Përderisa sondazhet kombëtare ofrojnë sinjale të rëndësishme për pikëpamjet e elektoratit, rezultatet në secilin shtet nga Kolegji Zgjedhor e përcaktojnë fituesin dhe një numër i vogël i shteteve pritet të jenë vendimtare./Nacionale