Sondazh: Partia opozitare Tisza e thellon epërsinë ndaj Fidesz-it të Orbanit - NACIONALE

Sondazh: Partia opozitare Tisza e thellon epërsinë ndaj Fidesz-it të Orbanit

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Partia opozitare hungareze e qendrës së djathtë, Tisza, e ka thelluar epërsinë në raport me partinë e kryeministrit Viktor Orban, Fidesz, në muajin shkurt, tregoi të mërkurën një sondazh që vlerësohet lart, para zgjedhjeve të 12 prillit në të cilat nacionalisti veteran do të kërkojë mandat të ri.

Orbani, me synimin për ta vazhduar pushtetin tashmë 16-vjeçar, po ballafaqohet me një kundërshtar të fortë për herë të parë në zgjedhje parlamentare. Rezultati i kësaj gare do të ketë implikime të mëdha jo vetëm për Hungarinë, por edhe për Evropën dhe forcat e saj politike të së djathtës ekstreme, thekson agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sipas rezultateve të sondazhit të ri, partia e Orbanit po e umb mbështetjen, ndërsa Tisza e opozitës po siguron më shumë përkrahës, pavarësisht shumë masave për kënaqjen e votuesve që janë njoftuar nga Qeveria pas tri viteve të stagnimit ekonomik.

Tisza, e udhëhequr nga ish-figura e brendshme qeveritare, Peter Magyar, e rriti epërsinë në raport me partinë Fidesz duke e çuar në 20 për qind në mesin e votuesve të vendosur, nga 12 për qind sa e kishte në një sondazh të mbajtur në janar, tha kompania e sondazheve “Median” në një artikull të publikuar nga uebfaqja e lajmeve, Hvg.hu.

Partia e Magyarit, e cila u themelua hiç më herët se në vitin 2024, e gëzon përkrahjen e 55 për qind të votuesve të vendosur, nga 51 për qind sa kishte në janar, sipas rezultateve të sondazhit.

Në anën tjetër, përkrahja për partinë e Orbanit ra në 35 për qind, nga 39 për qind sa ishte një muaj më parë, sipas sondazhit të zhvilluar mes datave 18 e 23 shkurt.

Kur shikohet popullsia e përgjithshme, në sondazh thuhet se partia opozitare mbështetet nga 42 për qind e hungarezëve, ndërsa partia e kryeministrit aktual ka përkrahje prej 31 për qind./Nacionale

Lajme të ngjashme