Sondazh: Më pak se një e treta e amerikanëve e mbështesin vrasjen e të dyshuarve për drogë - NACIONALE

Sondazh: Më pak se një e treta e amerikanëve e mbështesin vrasjen e të dyshuarve për drogë

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Vetëm 29 për qind e amerikanëve e mbështesin përdorimin e ushtrisë nga ShBA-ja për të vrarë trafikues të dyshimtë të drogës pa përfshirjen e një gjykatësi a gjykate, sipas një sondazhi nga agjencia “Reuters” dhe “Ipsos”.

Sondazhi i zhvilluar për gjashtë ditë dhe i mbyllur të mërkurën tregon se 51 për qind e pjesëmarrësve janë kundër vrasjes së të dyshuarve për drogë, ndërsa pjesa tjetër nuk ishin të sigurt, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Si shenjë e përçarjes brenda Partisë Republikane të Trumpit, 27 për qind e mbështetësve të saj janë kundër kësaj praktike, ndërsa 58 për qind e mbështesin atë. Pjesa tjetër nuk ishin të sigurt.

Në anën tjetër, tri të katërtat e mbështetësve të Partisë Demokratike në opozitë që morën pjesë në sondazh janë kundër vrasjes së të dyshuarve për drogë, ndërsa vetëm 10 për qind i përkrahin këto operacione.

Administrata e presidentit Donald Trump ka dhënë urdhër për të paktën 20 sulme ushtarake muajve të fundit kundër barkave të dyshuara për drogë në Karaibe dhe afër bregdetit të Paqësorit në Amerikën Latine, duke vrarë të paktën 79 njerëz.

Organizatat për të drejtat e njeriut, përfshirë të famshme “Amnesty International”, i kanë cilësuar si këto sulme si vrasje të paligjshme jashtëgjyqësore të civilëve dhe disa aleatë të Shteteve të Bashkuara kanë shprehur shqetësim në rritje se Uashingtoni mund të jetë duke e shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme