Sondazh i ri: Tkurret epërsia e Trumpit ndaj Harrisit për ekonomi, baras në luftën kundër krimit
Epërsia e republikanit Donald Trump ndaj demokrates Kamala Harris në fushat e ekonomisë dhe luftës kundër krimit është duke u zvogëluar në mesin e votuesve amerikanë, shenjë që fushata e nënpresidentes është duke fituar momentum para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në ShBA, sipas një ankete të agjencisë “Reuters” dhe “Ipsos”-it.
Anketa treditore, e zhvilluar në periudhën nga 23 deri më 25 gusht, tregon që qasja e ish-presidentit Trump ndaj ekonomisë dhe punësimit parapëlqehej nga 43 për qind e votuesve të regjistruar, në krahasim me 40 për qind që u pëlqen qasja e Harrisit.
Epërsia prej 3 për qind ishte shumë e vogël për të qenë domethënëse, duke e marrë parasysh margjinën e gabimit prej 4 për qind. Sipas një ankete të mëhershme nga agjencia “Reuters” dhe “Ipsos”-i në fund të korrikut, Trumpi kishte epërsi prej 11 për qind ndaj rivales demokrate sa i përket qasjes ndaj ekonomisë.
Në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, Harrisi dhe Trumpi patën mbështetje të barabartë – nga 40 për qind – duke shfaqur rritje të mbështetjes për kandidaten demokrate, pasi Trumpi në anketën e korrikut kishte epërsi prej 5 për qind.
Në sondazhet e fundit është treguar se Harrisi është duke ndërtuar një epërsi të vogël ndaj Trumpit që nga dita e hyrjes në garë më 21 korrik, pas vendimit të presidentit Joe Biden për t’u tërhequr nga fushata. Sipas anketës së agjencisë “Reuters” dhe “Ipsos”-it në fund të korrikut, zonja Harris kishte epërsi prej 1 për qind ndaj Trumpit – 43 me 42 për qind.
Mbetet të shihet se si do të preket gara nga vendimi i kandidatit të pavarur për president, Robert F. Kennedy, që të tërhiqet nga fushata. Kennedy, që në një sondazh në korrik kishte marrë 8 për qind mbështetje, ia dha përkrahjen Trumpit./Nacionale