Sonda kineze niset me sukses nga ana e largët e Hënës drejt Tokës
Një sondë kineze që po bart mostra nga ana e largët e Hënës e ka filluar udhëtimin për t’u kthyer në Tokë, ka thënë agjencia hapësinore kineze. Ky është rasti i parë i tillë në botë dhe arritje e madhe për programin hapësinor të Pekinit.
Moduli i sondës “Chang’e-6” “u ngrit nga sipërfaqja hënore” dhe hyri në një orbitë të paracaktuar përreth Hënës, tha Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës, raporton gazeta “The Guardian”.
Kjo është sonda e parë që me sukses ngrihet nga ana e largët e Hënës. Agjencia shtetërore kineze e lajmeve, “Xinhua”, e përshkroi nisjen si “arritje të pashembullt në historinë e eksplorimit njerëzor të Hënës”.
Analiza e mostrave që janë duke u bartur nga kjo sondë do t’i lejonte shkencëtarët “që ta thellojnë hulumtimin mbi historinë e formimit dhe evoluimit të Hënës”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i misionit, Ge Ping.
Për më tepër, analiza e mostrave gjithashtu do të ofrojë njohuri për “prejardhjen e Sistemit Diellor… duke shtrirë një bazë të përmirësuar për misione të mëvonshme eksplorimi”, shtoi ai.
Moduli “Cheng’e-6” u lëshua të dielën në basenin Aitken të Polit Jugor të Hënës, njëri nga krateret më të mëdha të njohura në Sistemin Diellor, tha Administrata Kombëtare Hapësinore.
Misioni teknikisht i ndërlikuar 53-ditor filloi më 3 maj.
Shkencëtarët thonë se ana “e errët” e Hënës – e quajtur kështu, sepse nuk duket nga Toka, jo pse nuk i bien rrezet e diellit – premton shumë për hulumtime, sepse krateret e saj janë më pak të mbuluara me rrjedhje të lashta të lavës se ana e afërt.