Somalia thërret takim urgjent pas paktit mes Etiopisë e Somalilandit për qasje në det
Kabineti qeveritar i Somalisë do të mbajë një takim urgjent të martën për të diskutuar rreth një pakti që Etiopia e ka nënshkruar me rajonin separatist të Somalilandit, duke i lejuar këtij shteti që ta shfrytëzojë portin e Detit të Kuq, Berbera, raportoi agjencia shtetërore somaleze e lajmeve.
Etiopia, shtet që nuk ka dalje në det, varet nga Xhibuti fqinj për shumicën e tregtisë së saj detare, raporton agjencia “Reuters”.
Marrëveshja e së hënës, e nënshkruar në Adis Abeba nga kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, dhe presidenti i Somalilandit, Muse Bihi Abdi, do t’ia hapë rrugën Etiopisë që të zhvillojë operacione tregtare detare, duke i dhënë qasje në një bazë ushtarake të lëshuar me qira në Detin e Kuq, tha këshilltari për siguri kombëtare i kryeministrit Abiy, Redwan Hussein.
Në këmbim, Somalilandit do t’i jepet një pjesë e kompanisë shtetërore, “Ethiopian Airlines”, shtoi këshilltari etiopian, pa dhënë më shumë hollësi.
Kabineti i Somalisë do të vendosë për një kundërpërgjigje në takimin e së martës, raportoi të hënën vonë Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Somalisë.
Somalilandi nuk ka fituar njohje të gjerë ndërkombëtare, pavarësisht nga shpallja e autonomisë nga Somalia më 1991. Somalia thotë se Somalilandi është pjesë e territorit të saj.
Javën e kaluar, agjencia shtetërore e lajmeve tha se Somalia dhe Somalilandi ishin pajtuar për rinisjen e bisedimeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre, pas përpjekjeve për ndërmjetësim nga Xhibuti.