S’mund të pajtohemi me kapitullimin e Ukrainës, thotë Tusku i Polonisë
Udhëheqësit evropianë duhet të rezistojnë kundër “kapitullimit” të Ukrainës para Rusisë, tha të mërkurën kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, para një takimi virtual të udhëheqësve të BE-së pas qasjes së re të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj Moskës zyrtare.
“Ne nuk mund të pajtohemi me kapitullimin e Ukrainës para Rusisë, sido që ta quajmë këtë, para kërkesave të paturpshme, përfshirë ato territoriale” – tha Tusku në një video të publikuar në rrjetin X, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Udhëheqësit e vendeve anëtare të Këshillit Evropian do të dëgjojnë një raportim nga presidenti francez, Emmanuel Macron, rreth vizitës së tij në Uashington këtë javë, ku u takua me Trumpin.
Macroni dhe Trumpi shfaqën dallime të qarta të hënën sa i përket qasjes ndaj Ukrainës, duke shpërfaqur një ndarje mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës në lidhje me synimin e Trumpit për një marrëveshje të shpejtë armëpushimi mes Ukrainës e Rusisë.
“Ne të gjithë shpresojmë për një përfundim të shpejtë të luftës dhe Evropa dëshiron që ta ketë pozicionin më të qartë të mundshëm” – tha kryeministri polak.
Ai shtoi se përderisa Polonia nuk do të dërgojë ushtarë në një mision paqeruajtës në të ardhmen në Ukrainë, vendi i tij është i gatshëm për të ofruar çfarëdo asistence logjistike, “madje edhe në shkallë të lartë, nëse ekziston nevoja e tillë”./Nacionale