Smotrich-i njofton tenderë për mbi 3.400 njësi banimi në vendbanimin E1 afër Jerusalemit - NACIONALE

Smotrich-i njofton tenderë për mbi 3.400 njësi banimi në vendbanimin E1 afër Jerusalemit

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri i Financave i Izraelit, i cili ka bindje të së djathtës ekstreme, ka njoftuar se planifikon që të miratojë tenderë për ndërtimin e rreth 3.400 njësive të banimit në projektin shumë kontrovers të vendbanimit E1 mes Jerusalemit dhe Ma’ale Adumim-it në Bregun Perëndimor, duke thënë se kjo lëvizje “e varros idenë e një shteti palestinez”.

Projekti ka qenë i ngrirë me dekada për shkak të kundërshtimit të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, i cili ka frikë se lagjja e re do të bllokonte një shtet funksional palestinez, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

“Miratimi i planeve të ndërtimit në E1 e varros idenë e një shteti palestinez dhe i vazhdon hapat e shumtë që ne jemi duke i ndërmarrë në terren si pjesë e planit të sovranitetit de fakto që filluam ta zbatonim me formimin e Qeverisë” – tha ministri Smotrich në një deklaratë.

“Pas dekadave të presionit ndërkombëtar dhe ngrirjeve, ne do ta thyejmë traditën dhe do ta lidhim Ma’ale Adumim-in me Jerusalemin. Ky është Zionizëm në nivelin e tij më të mirë – ndërtimi, organizimi dhe fuqizimi i sovranitetit tonë në Tokën e Izraelit” – shtoi Smotrich-i, i cili ka pozitë e dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ku është përgjegjës për çështje civile në Bregun Perëndimor.

Ndërtimi i mundshëm i një lagjeje të re në vendbanimin Ma’ale Adumim në të ashtuquajturën zonë E1 ka qenë për një kohë të gjatë shkaktar për alarm për komunitetin ndërkombëtar. Ky projekt do ta ndante Bregun Perëndimor në rajone veriore dhe jugore dhe do ta parandalonte zhvillimin e një metropoli palestinez që e lidh Jerusalemin Lindor me Betlehemin dhe Ramallahun, për të cilët palestinezët për një kohë të gjatë kanë shpresuar se do të shërbenin si themel i shtetit të tyre në të ardhmen.

Sidoqoftë, sipas vëzhguesit të vendbanimeve “Peace Now”, planet e miratuara nuk janë për planin origjinal E1, por për një lagje të ndarë në Ma’ale Adumim.

“3.300 njësitë e banimit në Ma’ale Adumim përfaqësojnë një rritje prej rreth 33 për qind në fondin e njësive të banimit – një zgjerim i stërmadh për një vendbanim popullsia e të cilit ka qenë e ngecur në rreth 38 mijë njerëz gjatë dekadës së fundit dhe ka përjetuar migrim të jashtëm. Tenderët janë për një lagje të madhe që do ta lidhë zonën e ndërtuar të Ma’ale Adumim-it me zonën industriale në lindje të tij” – tha grupi “Peace Now”./Nacionale

Lajme të ngjashme