“S’më duhet e drejta ndërkombëtare”: Trumpi thotë se kufizimin e vetëm si president e ka mendjen e vet - NACIONALE

“S’më duhet e drejta ndërkombëtare”: Trumpi thotë se kufizimin e vetëm si president e ka mendjen e vet

1 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se atij “nuk i nevojitet e drejta ndërkombëtare” dhe se pushteti i tij kufizohet vetëm nga “morali i tij”.

Në një intervistë me gazetën “The New York Times”, Trumpi tha se kufizimi i vetëm ndaj fuqisë së tij si president i Shteteve të Bashkuara është “morali im, mendja ime”, transmeton gazeta “The Guardian”.

“Kjo është gjëja e vetme që mund të më ndalë. Nuk po synoj që t’i lëndoj njerëzit” – tha më tej ai, duke pranuar se administrata e tij duhet ta respektojë të drejtën ndërkombëtare, por shtoi: “Varet se cili është definicioni juaj për të drejtën ndërkombëtare”.

Në kohën kur administrata e tij po shqyrton “një varg opsionesh” për ta marrë nën kontroll Grenlandën, Trumpi gjithashtu e theksoi rëndësinë e pronësisë.

“Pronësia është shumë e rëndësishme, sepse kjo më duket se nevojitet në aspektin psikologjik për sukses” – tha ai, duke shtuar më pas: “Pronësia të jep gjëra dhe elemente që nuk mund t’i marrësh vetëm nga nënshkrimi i një dokumenti.”

Trumpi gjithashtu i hodhi poshtë shqetësimet se vendimi i tij për ta rrëzuar Nicolas Maduron nga pozita e presidentit të Venezuelës do të krijojë precedent për marrjen e mundshme nën kontroll të Tajvanit nga Kina ose për përpjekjen e Rusisë që ta vendosë nën kontroll Ukrainën.

Ai tha se nuk beson se presidenti kinez, Xi Jinping, do ta marrë nën kontroll Tajvanin, duke i thënë gazetës së njohur amerikane: “Kjo varet nga ai, se çfarë do të bëjë, por e dini se ia kam shprehur se do të isha shumë i pakënaqur, nëse ai do ta bënte këtë dhe nuk mendoj se do ta bëjë. Shpresoj se nuk do ta bëjë.”

“Ai mund ta bëjë këtë pasi të kemi një president tjetër [në Shtëpinë e Bardhë], por nuk mendoj se do ta bëjë me mua si president” – shtoi Trumpi./Nacionale

Lajme të ngjashme