Sllovakia pritet të blejë gjashtë sisteme të mbrojtjes ajrore nga Izraeli - NACIONALE

Sllovakia pritet të blejë gjashtë sisteme të mbrojtjes ajrore nga Izraeli

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Sllovakisë të mërkurën i miratoi planet për të blerë gjashtë sisteme mobile të mbrojtjes ajrore nga Izraeli për 554,3 milionë euro, tha ekzekutivi në uebfaqen e vet, përderisa anëtarja e NATO-s po e fuqizon mbrojtjen e hapësirës ajrore.

Qeveria gjithashtu e miratoi blerjen e më shumë se 1.300 automjeteve të rënda 6x6 dhe 8x8 në një marrëveshje të përbashkët me Republikën Çeke, me kosto të pritshme prej 708,3 milionë eurosh, që do t’i zëvendësojnë kamionët që po vjetrohen, raporton agjencia “Reuters”.

Sllovakia, fqinje e Ukrainës që po lufton kundër pushtimit rus nga viti 2022, është përpjekur që t’i fuqizojë kapacitetet e mbrojtjes ajrore.

Bratisllava ka qenë pjesë e përpjekjeve të NATO-s për ta fuqizuar krahun lindor të aleancës ushtarake.

Muajin e kaluar, Sllovakia i pranoi dy prej 14 aeroplanëve të rinj luftarakë të tipit F-16.

Qeveria sllovake nuk tregoi për llojin e sistemeve të mbrojtjes që do të blihen nga Izraeli përmes një marrëveshjeje mes dy qeverive.

Sllovakia e përdor sistemin 2K12 KUB, që është në fund të ciklit të vet ekzistues, tha Ministria e Mbrojtjes në një dokument të lëshuar të mërkurën.

Nën pushtetin e kaluar, Sllovakia ia dhuroi Ukrainës sistemin e mbrojtjes ajrore S-300. Ky vendim ishte kritikuar nga administrata e tanishme, e cila pretendonte se dhurimi i sistemit i zvogëlonte kapacitetet e mbrojtjes ajrore të vendit./Nacionale

Lajme të ngjashme