Skenë e llahtarshme në Haiti: Dy anëtarë të dyshuar bandash vriten dhe digjen - NACIONALE

Skenë e llahtarshme në Haiti: Dy anëtarë të dyshuar bandash vriten dhe digjen

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa anëtarë të dyshuar të bandave u vranë gjatë një sulmi në lagjen Petion-Ville, në periferinë jugore të kryeqytetit të Haitit, Port-au-Prince, përderisa një përplasje me policinë dhe banorët lokalë e vuri në pah rishfaqjen e vetëgjyqësisë, ndërsa shteti mbetet i heshtur.

Shpërthimi i ri i dhunës vjen përderisa e ardhmja politike e shtetit të goditur nga kriza mbetet e paqartë, raporton agjencia “Reuters”.

Një reporter i kësaj agjencie pa dy anëtarë të dyshuar të bandave, përfshirë një udhëheqës të njohur si Makadal, të vrarë e të djegur. Në pamje që i pa agjencia “Reuters” më parë shiheshin trupat e shtrirë dhe duke u tërhequr në rrugë, njëri burrë me duar të prera.

Flaka iu vu edhe shtëpisë së familjes së Makadalit.

Duke cituar burime policore, Radio RFM raportoi se popullsia lokale kishte qenë e përfshirë në një ballafaqim me të shtëna në Petion-Ville, që ndodhet në skajin jugor të kryeqytetit haitian.

Para gati një viti, një grup i banorëve të kryeqytetit vranë dhe ua vunë flakën rreth dhjetë burrave që besohej se ishin anëtarë të bandave, duke e nisur atë që do të njihej si lëvizja “Bwa Kale”, lëvizje për vetëgjyqësi për të cilën grupet e të drejtave të njeriut thonë se nganjëherë është kryer me anëtarë të policisë.

Më herët të mërkurën, gazeta “Le Nouvelliste” raportoi se të paktën 15 persona ishin vrarë gjatë sulmeve përreth lagjes Petion-Ville, ku ndodhen disa hotele luksoze si dhe rreth dhjetë ambasada. Banorët atje e ngujuan veten në shtëpi, ndërsa burra të armatosur kryen sulme të reja në lindje të qytetit.

Pavarësisht nga premtimi i kryeministrit Ariel Henry javën e kaluar se do të jepte dorëheqje – që ishte kërkesë e bandave gjithnjë më të fuqishme, të cilat e kontrollojnë shumicën e kryeqytetit – dhuna ka vazhduar dhe Henry mbetet jashtë vendit.

Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së kryeministrit e ka zgjatur afatin e orës policore natën, që ishte vendosur më herët këtë muaj.

Lajme të ngjashme