S’ka siguri në tërheqje: Ushtarët ukrainas thonë se vijat e pasme mbrojtëse mezi ekzistojnë
Gjatë betejave të paracaktuara me forcat ruse shumë më mirë të armatosura, njësia e ushtarit ukrainas Batyar ka pak mundësi.
Bombat shkatërruese ajrore të Rusisë, që mund të hedhin deri në 1,5 ton lëndë shpërthyese jashtë rrezes së shumicës së sistemeve ukrainase të mbrojtjes ajrore po i gërryejnë pozicionet e burrave të tij në një taktikë të re, raporton agjencia “Associated Press”.
Prapëseprapë, tërheqja nuk jep premtim për siguri – vijat e pasme të mbrojtjes, që do të duhej t’u ofronin mbulim atyre, mezi ekzistojnë, tha ushtari ukrainas.
Mungesa e municionit po i detyron ushtarët ukrainas në numër më të vogël që të tërhiqen, një fshat pas tjetrit, përfshirë tri fshatra të dorëzuara të dielën, përderisa luftimet po e turbullojnë zonën rurale përreth qytezës Avdivka gati tre muaj pas rënies së kësaj qendre strategjike në duart e rusëve.
“Është e nevojshme që të shtohet ritmi i ndërtimit të fortifikatave… ashtu që kur ne të tërhiqemi, do të tërhiqemi në një pozicion të përgatitur” – tha Batyari, komandant i një njësie që u prezantua vetëm me nofkën e vet ushtarake, në vijë me protokollet e brigadës. “Këto fortifikata nuk janë të mjaftueshme” – shtoi ai.
Duke u ballafaquar me zemërim pas rënies së Avdivkës, Ukraina po nxiton që të ndërtojë llogore, strofuj e pozicione zjarri të fortifikuara me beton si dhe pengesa të tjera në vijat e frontit. Megjithatë, sulmet e pamëshirshme ruse, mungesa e pajisjeve dhe burokracia gjymtuese po e dëmtojnë ndërtimin përgjatë frontit prej një mijë kilometrash, edhe kur një ofensivë e re ruse po del në horizont, sipas më shumë se dhjetë ushtarëve ukrainas, zyrtarëve qeveritarë e drejtorëve të kompanive të ndërtimit që u intervistuar nga agjencia “Associated Press”.
Pakoja amerikane e ndihmave, që ishte pritur gjatë, u miratua nga Kongresi i ShBA-së këtë muaj dhe pritet që ta ndihmojë Ukrainën për ta zvogëluar dallimin në fuqinë e zjarrit. Sidoqoftë, derisa të arrijnë dërgesat e reja, veprim që mund të marrë disa javë, Rusia do të vazhdojë që t’i shfrytëzojë dobësitë e Ukrainës.
Ukraina ka ndarë gati 38 miliardë hryvnia (960 milionë dollarë) për të ndërtuar një rrjet të gjerë fortifikatash këtë vit. Ushtarët përgjatë vijës së frontit këmbëngulin se kjo do të duhej të bëhej vitin e kaluar, kur Ukraina kishte përparësi në luftime, jo tash në mes të betejës.
Përpos llogoreve dhe pengesave të tjera, sistemi me shtresa përfshin mina dhe pengesa kundërtanke, të njohura si “dhëmbët e dragoit”, që zakonisht vendosen para luftimeve. Përgatitja e rusëve e shpagoi veten gjatë kundërsulmit të dështuar të Ukrainës verën e kaluar: momentumi i Ukrainës u ngadalësua në rajonin Zaporizhia nga fortifikatat e gjera të Rusisë.