S’ka plane për dërgim të trupave polake në Ukrainë në rast armëpushimi, thotë Tusku
Polonia nuk ka plane për të dërguar trupa në Ukrainë, tha të enjten kryeministri polak, Donald Tusk, në kohën e spekulimeve se fuqitë perëndimore mund të bëjnë një veprim të tillë, nëse arrihet armëpushim mes Kievit e Moskës.
Tusku foli krahas presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili po e viziton Varshavën. Diplomatët thanë se ideja e dërgimit të trupave evropiane në Ukrainë, nëse ka armëpushim dhe akord të paqes mes Ukrainës dhe Rusisë, do të ishte në agjendën e tyre, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Për t’i ndërprerë spekulimet për praninë e mundshme të këtij ose atij shteti në Ukrainë pas arritjes së një armëpushimi... vendimet në lidhje me Poloninë do të merren në Varshavë dhe vetëm në Varshavë. Tani për tani, ne nuk planifikojmë veprime të tilla” – tha kryeministri polak.
“(Ne e kemi) dëshirën e njëjtë për t’u thënë ukrainasve se... askush nuk mund të diskutojë për ukrainasit në emrin e tyre për koncesionet që do të bëhen, pikat që do të ngrihen, u përket ukrainasve që ta bëjnë këtë, por nuk ka siguri në Evropë pa evropianët” – tha Macroni në një konferencë për gazetarë.
Edhe ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë do të takohen të enjten në Varshavë dhe në Berlin, vetëm disa javë para se Polonia ta marrë presidencën e përkohshme të BE-së nga Hungaria.
Gjatë bisedimeve në Poloni dhe Gjermani do të shqyrtohen mundësitë se si të fuqizohet mbështetja financiare dhe ushtarake për Ukrainën në të ardhmen e afërt dhe se si Evropa mund ta shtojë financimin në fushën e mbrojtjes, përfshirë mënyrën përmes borxhit të përbashkët.