“Situata është jashtë kontrollit”: Shtetet e pasura po ua marrin infermierët vendeve të varfra
Rekrutimi i infermierëve nga shtetet me të ardhura të larta prej vendeve më të varfra është jashtë kontrolli, sipas drejtorit të grupit më të madh ndërkombëtar të infermierëve.
Komentet e tij erdhën pas gjetjes së dëshmive nga televizioni BBC se si sistemi shëndetësor në Gana të Afrikës është duke u ballafaquar me vështirësi për shkak të “ikjes së trurit”.
Shumë infermierë specialistë janë larguar nga ky shtet afrikan për vende pune me paga më të larta në shtete të huaja. Në vitin 2022, më shumë se 1.200 infermierë nga Gana iu bashkuan sistemit shëndetësor britanik.
Sistemi shëndetësor publik në Mbretërinë e Bashkuar gjithnjë më shumë po mbështetet në stafin e vendeve jashtë BE-së për t’i plotësuar vendet e lira të punës.
Edhe pse Britania thotë se rekrutimi aktiv nga Gana nuk është i lejuar, rrjetet sociale u mundësojnë infermierëve që lehtë t’i shohin vendet e lira të punës në sistemin shëndetësor publik britanik. Ata mund të aplikojnë për ato vende pune drejtpërdrejt, ndërsa situata e rëndë ekonomike në atdhe është shtytje e madhe për t’u larguar nga vendi.
Howard Catton nga Këshilli Ndërkombëtar i Infermierëve është i shqetësuar nga niveli i largimit të infermierëve nga shtetet si Gana. “Ndjenja ime është se situata tash për tash është jashtë kontrollit”- tha ai.
“Kemi rekrutim intensiv që po udhëhiqet kryesisht nga gjashtë ose shtatë shtete me të ardhura të larta, por rekrutimi po bëhet prej disa shtete që janë prej më të dobëtave dhe më të brishtave që nuk mund ta përballojnë humbjen e infermierëve të tyre”- shtoi ai.
Kryeinfermierja në Spitalin Rajonal “Greater Accra”, Gifty Aryee, i tha televizionit BBC se vetëm Njësia e Kujdesit Intensiv ka humbur 20 infermierë në gjashtë muajt e fundit. Ata kanë shkuar në Britani dhe në ShBA dhe kanë lënë pas pasoja të rënda.
“Kujdesi është prekur, sepse nuk mund të pranojmë më shumë pacientë. Ka vonesa dhe kjo kushton më shumë në vdekshmëri – pacientët vdesin”- tha ajo.
Zonja Aryee shtoi se pacientët e sëmurë seriozisht shpesh është dashur që të mbahen në departamentin e urgjencës për një kohë më të gjatë për shkak të mungesës së infermierëve.
Një infermiere në këtë spital vlerësoi se gjysma e kolegëve me të cilët ajo kishte diplomuar tashmë janë larguar nga vendi dhe se edhe ajo dëshiron që të veprojë njësoj.
