Siria thotë se Izraeli po i merr territor pavarësisht bisedimeve - NACIONALE

Siria thotë se Izraeli po i merr territor pavarësisht bisedimeve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Siria tha të hënën se Izraeli kishte dërguar 60 ushtarë për të marrë nën kontroll një zonë brenda kufirit sirian përreth Malit të Hermonit në një operacion që e shkel sovranitetin e saj dhe paraqet kërcënim ndaj sigurisë rajonale.

Një zëdhënës ushtarak izraelit tha se trupat kryen një aktivitet operacional rutinor në një zonë në jug të Sirisë, por nuk operuan në Beit Jinn, zonë afër kufirit me Libanin dhe afër Malit të Hermonit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Incidenti vjen në kohën kur dy vendet janë përfshirë në bisedime të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara për depërshkallëzimin e konfliktit mes tyre në pjesën jugore të Sirisë. Damasku shpreson që të arrijë një marrëveshje sigurie që do ta hapte rrugën për bisedime më të gjera politike.

Incidenti i së hënës ndodhi afër një maje kodre strategjike nga e cila shihet Beit Jinn-i, tha ministria siriane. Sipas banorëve të zonës, Izraeli gjithashtu arrestoi gjashtë sirianë atje.

Sidoqoftë, ushtria izraelite tha se nuk ka bërë arrestime gjatë aktivitetit në jug të Sirisë, por ka ndaluar një person për ta marrë në pyetje, pasi disa të dyshuar u identifikuan duke iu afruar zonës në një mënyrë që nga ushtria u cilësua si kërcënim ndaj trupave.

Ajo zonë njihet për trafikim të armëve nga Hezbollahu dhe grupe xhihadiste palestineze. Gjatë depërtimeve të trupave izraelite në të kaluarën janë përfshirë kryesisht zona në distriktin jugor Quneitra.

“Ky eskalim i rrezikshëm konsiderohet kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj paqes dhe sigurisë rajonale” – tha në një deklaratë Ministria e Jashtme e Sirisë.

Izraeli i ka përmendur shqetësimet e veta për sigurinë si arsyetim për ndërhyrjet ushtarake në Siri që nga rënia e ish-presidentit sirian, Bashar al-Assad, në dhjetorin e vitit të kaluar, përfshirë atë që e sheh si detyrim për t’i mbrojtur pjesëtarët e pakicës Druze në jug të Sirisë.

Në të njëjtën ditë, presidenti sirian, Ahme dal-Sharaa, diskutoi në Damask për zhvillimet në vendin e tij dhe në rajon me emisarin e posaçëm amerikan për Sirinë, Thomas Barrack, një ditë pasi amerikani ishte në Izrael, ku me kryeministrin Benjamin Netanyahu diskutoi për Sirinë dhe Libanin./Nacionale

Lajme të ngjashme