Siria e pret “brenda javësh” transferin e parë financiar me një bankë të ShBA-së - NACIONALE

Siria e pret “brenda javësh” transferin e parë financiar me një bankë të ShBA-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Siria pret që ta ketë transaksionin e parë me një bankë amerikane “në çështje javësh”, tha të enjten guvernatori i Bankës Qendrore të Sirisë, Abdelkader Husriyeh, një ditë pas një takimi të nivelit të lartë mes bankave komerciale siriane e amerikane.

Rifllimi i transfereve mes bankave siriane dhe amerikane do të ishte hap kyç në përpjekjet e udhëheqësve të rinj të Sirisë për ta riintegruar vendin në sistemin financiar global pas 14 vjetëve luftë civile, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Guvernatori Husriyeh të mërkurën mbajti një konferencë virtuale ku morën pjesë bankat siriane, disa banka amerikane e disa zyrtarë ng ShBA-ja, përfshirë emisarin amerikan për Sirinë, Thomas Barrack, me qëllim të përshpejtimit të rilidhjes së sistemit bankar të Sirisë në sistemin financiar global.

Ky zhvillim erdhi pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, muajin e kaluar se të gjitha sanksionet ndaj Sirisë do të hiqeshin. Kjo është pasuar me urdhra ekzekutivë me të cilët formalisht janë hequr disa sanksione.

Riintegrimi i Sirisë në sistemin financiar global do të ishte hap i rëndësishëm drejt mundësimit të transaksioneve të mëdha financiare që nevojiten për t’i nisur rindërtimin dhe aktivitetin ekonomik dhe për ta frenuar ekonominë shumë joformale, të mbështetur në para të gatshme.

“Ne kemi dy synime të qarta: që bankat amerikane të hapin zyra përfaqësie në Siri dhe të rinisin transaksionet mes bankave siriane dhe amerikane. Mendoj se synimi i dytë mund të ndodhë brenda javësh” – i tha agjencisë “Reuters” guvernatori i Bankës Qendrore të Sirisë.

Në mesin e bankave të ftuara në konferencën e së mërkurës ishin “JP Morgan”, “Morgan Stanley” dhe “CitiBank”, edhe pse nuk ishte menjëherë e qartë se përfaqësues të cilave banka morën pjesë./Nacionale

Lajme të ngjashme