Siria e hap gjyqin e parë publik për dhunën vdekjeprurëse në provincat bregdetare - NACIONALE

Siria e hap gjyqin e parë publik për dhunën vdekjeprurëse në provincat bregdetare

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Gjyqi i parë u hap të martën për disa prej qindra të dyshuarve të lidhur me përleshjet vdekjeprurëse në provincat bregdetare të Sirisë më herët këtë vit, që shpesh eskaluan në sulme sektare.

Mediat shtetërore raportuan se 14 persona u sollën në Pallatin e Drejtësisë në Aleppo pas një hetimi të udhëhequr nga qeveria për dhunën që ndodhi në mars e ku u përfshinë forcat qeveritare dhe mbështetësit e ish-presidentit të rrëzuar, Bashar al-Assad. Komiteti hetues i referoi 563 persona për në sistemin gjyqësor, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Shtatë prej të pandehurve në gjykatë ishin besnikë të Assadit, ndërsa shtatë të tjerë pjesëtarë të forcave të reja qeveritare të sigurisë.

Gjyqi vjen pas presionit nga publiku dhe komuniteti ndërkombëtar ndaj udhëheqësve të rinj për t’u zotuar për reformë në sistemin gjyqësor pas disa dekadave nën pushtetin autokratik të dinastisë së Asadëve.

Pavarësisht nga raportimet e mediave shtetërore se mund të ngriheshin shpejt akuza kundër të pandehurve, gjykatësi e ndërpreu seancën dhe e caktoi seancën e radhës për muajin dhjetor.

Në mesin e akuzave ndaj të pandehurve mund të përfshihen kryengritja, nxitja e luftës civile, sulmi ndaj forcave të sigurisë, plaçkitja dhe udhëheqja e bandave të armatosura, sipas mediave shtetërore.

Gjykatësi u dëgjua në pamje televizive duke i pyetur të pandehurit nëse ishin civilë apo ushtarakë. Një i dyshuar, besnik i Assadit, u akuzua për pjesëmarrje në një pritë kundër forcave qeveritare dhe për përpjekje që t’i fshihte armët e përdorura.

Gjatë marrjes në pyetje nga gjykatësi ndaj një të dyshuari nga forcat siriane të sigurisë për vrasje të shënjestruar, si dëshmi u dorëzua një video ku gjoja shfaqej vrasja. I dyshuari pretendoi se videoja ishte e fabrikuar dhe mohoi se kishte vrarë ndonjë njeri.

Duke i marrë parasysh nivelin e dhunës dhe numrin e të dyshuarve, nuk është e qartë se sa do të zgjasin procedurat gjyqësore./Nacionale

Lajme të ngjashme