Siria dhe Iraku thonë se nga sulmet amerikane janë vrarë edhe civilë
Sulmet e forcave amerikane në pjesë të shënjestruara të Sirisë të premten vonë lanë të vrarë civilë e pjesëtarë të personelit ushtarak dhe shkaktuan “dëm të konsiderueshëm”, sipas ushtrisë siriane. Edhe autoritetet irakiane kanë thënë se ka civilë të vrarë.
“[ShBA-ja] nisi një agresion flagrant ajror kundër një numri të objekteve dhe qytezave në rajonin lindor të Sirisë, dhe afër kufirit Siri – Irak, që çoi te martirizimi i një numri të civilëve e ushtarëve, te lëndimi i të tjerëve dhe te shkaktimi i dëmit të konsiderueshëm ndaj pronës publike e private” – thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes të Sirisë, publikuar të shtunën herët.
Televizioni CNN nuk mund t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur numrin e viktimave ose llojin e pasojave.
Më herët të premten, Douglas Sims, drejtor i operacioneve në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së ShBA-së, tha se “me gjasë do të ketë viktima” nga sulmet në Siri dhe Irak.
Agjencia shtetërore siriane e lajmeve, SANA, raportoi se nga sulmet ajrore u goditën zona në Deir Ezzor, Al-Bukamal dhe Al-Mayadeen si dhe në zonën kufitare mes Sirisë e Irakut.
Qeveria irakiane ka thënë se të paktën 16 persona, përfshirë civilë, janë vrarë e 25 të tjerë janë plagosur në Irak si rezultat i sulmeve të kryera gjatë natës nga ushtria amerikane.
Një zëdhënës i përshkroi këto sulme si agresion i ri ndaj sovranitetit të Irakut, duke thënë se ato i vënë vendin dhe rajonin buzë humnerës.
Shtetet e Bashkuara thanë se kishin kryer sulme ajrore ndaj 85 caqeve në shtatë vende në Irak e Siri të premten si kundërpërgjigje ndaj një sulmi me dron nga militantët e përkrahur nga Irani në Jordani të dielën, kur u vranë tre ushtarë amerikanë e u plagosën mbi 40 të tjerë.