Sipas inteligjencës amerikane, Rusia ka humbur 87 për qind të ushtarëve që i kishte para luftës - NACIONALE

Sipas inteligjencës amerikane, Rusia ka humbur 87 për qind të ushtarëve që i kishte para luftës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia ka humbur 87 për qind të numrit të përgjithshëm të trupave tokësore në detyrë aktive që i kishte para fillimit të pushtimit të Ukrainës dhe dy të tretat e tankeve që i kishte para luftës, i ka thënë televizionit CNN një burim i afërt me një vlerësim të deklasifikuar të inteligjencës amerikane, që i është ofruar Kongresit.

Prapëseprapë, pavarësisht nga humbjet e rënda të ushtarëve e pajisjeve, presidenti rus, Vladimir Putin, është i vendosur që të lëvizë përpara, përderisa lufta i afrohet dyvjetorit në fillim të vitit të ardhshëm dhe zyrtarët amerikanë po paralajmërojnë se Ukraina mbetet thellësisht e brishtë. Një kundërsulm i Ukrainës, që ishte pritur shumë, ngeci gjatë vjeshtës dhe zyrtarët e ShBA-së besojnë se Kievi ka pak gjasa që të shënojë ndonjë fitore të madhe gjatë muajve të ardhshëm, raporton televizioni CNN.

Vlerësimi i inteligjencës, i dërguar në Capitol të hënën, vjen në kohën e ngurrimit të disa republikanëve për fonde shtesë të ShBA-së për Ukrainën dhe administrata e presidentit Biden po bën përpjekje e presion që ta sigurojë ndarjen e asistencës së re në Kongres.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e vizitoi Uashingtonin të martën, ku u takua me homologun amerikan, Joe Biden, e me ligjvënës të ShBA-së në përpjekje dëshpëruese për ta siguruar ndihmën ushtarake e ekonomike që, sipas tij, është jetike për aftësinë e Ukrainës që ta vazhdojë luftën kundër Rusisë.

Rusia ka qenë në gjendje që ta mbajë vazhdimin e luftës pavarësisht nga humbjet e rënda përmes lehtësimit të standardeve të rekrutimit dhe duke i hapur rezervat e periudhës sovjetike të pajisjeve më të vjetra. Prapëseprapë, në vlerësimin e inteligjencës amerikane thuhet se lufta “e ka kthyer 15 vjet prapa përpjekjen e Rusisë për ta modernizuar forcën e saj tokësore”.

Nga 360 mijë ushtarët që kishin hyrë në Ukrainë, përfshirë personelin me kontratë dhe të rekrutuarit, sipas vlerësimit amerikan, Rusia ka humbur 315 mijë trupa në fushën e betejës.

Më tutje, thuhet se 2.200 nga 3.500 tanket e Rusisë janë humbur, ndërsa janë shkatërruar edhe 4.400 nga 13.600 automjetet luftarake e automjetet e blinduara për transportimin e personelit.

Lajme të ngjashme