Si mund të kundërpërgjigjet Rusia pas vendimeve të ShBA-së e Britanisë për Ukrainën? - NACIONALE

Si mund të kundërpërgjigjet Rusia pas vendimeve të ShBA-së e Britanisë për Ukrainën?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Moska ka kërcënuar se do të hakmerret për vendimet e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë që të lejohet përdorimi i raketave me rreze të gjatë nga Ukraina për sulme brenda territorit rus dhe ka paralajmëruar se asgjë nuk është jashtë tavolinës.

Më herët këtë javë, Kremlini njoftoi një ndryshim formal në doktrinën e vet bërthamore, ku parashihen rastet me kundërpërgjigje të mundshme me sulm bërthamor ndaj sulmeve të ndihmuara nga NATO-ja në territorin rus. Atëherë, sa larg është i përgatitur Putini që të shkojë?

Sa ka gjasa që Rusia të përdorë armë bërthamore në konfliktin e Ukrainës?

Kremlini e ka përmendur arsenalin e vet bërthamor gjatë konfliktit në Ukrainë si përpjekje për ta parandaluar përfshirjen e Perëndimit. Sidoqoftë, për të gjitha kërcënimet, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk kanë parë shenja të lëvizjeve të pazakonshme në qendrat për ruajtjen e armëve bërthamore ruse, duke lënë të kuptohet se nuk ka pasur ndryshim të pozicionit fizik të kokave luftarake taktike, raporton gazeta "The Guardian".

Shumica e ekspertëve mendojnë se përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia ka pak gjasa që të ndodhë tani për tani, por kanë paralajmëruar kundër vetëkënaqësisë. Pavel Podvig, hulumtues i lartë në Institutin për Hulumtime të Çarmatosjes në OKB, tha se nuk beson që hedhja e një bombe në Ukrainë nuk është në listën e opsioneve të Moskës “në radhë të parë për shkak se kjo nuk do të ndihmonte për arritjen e ndonjë qëllimi ushtarak dhe Rusia është duke avancuar tani për tani”.

Për më tepër, përdorimi i një arme bërthamore në konflikt për herë të parë që nga viti 1945 do të bashkonte një pjesë të madhe të botës kundër Rusisë në mënyra që Moska nuk do të mund t’i parashikonte lehtë, shtoi Podvigu.

Në ç’mënyra të tjera mund t’i kundërpërgjigjet Moska Perëndimit?

Moska ka shfaqur imagjinatë të gjerë në përdorimin e taktikave hibride. Ajo e ka shfrytëzuar si armë rrjedhën e njerëzve që migrojnë drejt Perëndimit, duke i drejtuar në kufijtë e Polonisë, Lituanisë e Finlandës me qëllim të shkaktimit të problemeve politike në këto shtete.

Inteligjenca ushtarake ruse gjithashtu ka kryer vrasje në Britani, Gjermani, Spanjë, Austri, Turqi e në vende të tjera. Ajo ka planifikuar sulme sabotazhi, gjithashtu. Në Gjermani dhe Britani janë gjetur pajisje ndezëse./Nacionale

Lajme të ngjashme