“S’i kanë paret”: Musku e godet projektin miliardësh të inteligjencës artificiale që e njoftoi Trumpi - NACIONALE

“S’i kanë paret”: Musku e godet projektin miliardësh të inteligjencës artificiale që e njoftoi Trumpi

2 javë më parë

nga NACIONALE

Pak pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi nga Shtëpia e Bardhë një investim të ri masiv në infrastrukturën e inteligjencës artificiale, “shoku i parë” Elon Musk u mundua që t’ia shqyente.

“Ata në të vërtetë nuk i kanë paratë” – shkroi njeriu më i pasur në botë në rrjetin X. “SoftBank ka dukshëm më pak se 10 miliardë dollarë të siguruar. E kam këtë [informatë] nga një burim i besueshëm” – shtoi ai.

Trumpi tha se përmes këtij investimi do të themelohet një kompani e re, e quajtur “Stargate”, për ta rritur infrastrukturën e inteligjencës artificiale në Shtetet e Bashkuara. Udhëheqësit e kompanive “SoftBank”, “OpenAI” dhe “Oracle” qëndruan pranë Trumpit gjatë njoftimit. Kompanitë e tyre do të investojnë 100 miliardë dollarë gjithsej për fillimin e projektit, ndërsa plani është që në “Stargate” të derdhen deri në 500 miliardë dollarë viteve të ardhshme, raporton televizioni CNN.

Komentet e Muskut janë goditje e theksuar ndaj një projekti të rëndësishëm të Shtëpisë së Bardhë nga dikush që është në rrethin më të afërt të Trumpit. Si shenjë e asaj se sa i përfshirë është Musku në ditët e para të administratës së re, miliarderi tha se ndodhej në Zyrën Ovale të martën, kur Trumpi e nënshkroi faljen e dënimit për Ross William Ulbricht, themelues i tregut të rrjetit të zi, “SilkRoad”.

Sidoqoftë, ndoshta nuk është befasi që Musku del kundër një nisme të kompanisë “OpenAI”. Ai është në një padi aktive me këtë kompani dhe me shefin ekzekutiv të saj, Sam Altman, i cili ishte i pranishëm në njoftimin për projektin e ri në Shtëpinë e Bardhë. Musku, i cili ka thënë se “nuk i beson” Altman-it, pretendon në padi se programi “ChatGPT” e ka braktisur misionin e vet fillestar jofitimprurës duke e rezervuar një pjesë të teknologjisë së vet më të avancuar të inteligjencës artificiale për konsumatorë privatë.

Kompanitë e përfshira në nismën “Stargate” nuk kanë zbuluar publikisht se si do të kontribuojnë në financim, por ato nuk kanë nevojë patjetër që t’i kenë paratë në bankë për ta mbështetur projektin, pasi mund të marrin borxhe ose të bashkëpunojnë me investitorë të tjerë, thekson televizioni amerikan.

Lajme të ngjashme