Shumë spitale në Kinë i kanë ndërprerë shërbimet e lindjes, pak foshnja
Shumë spitale në Kinë e kanë ndërprerë ofrimin e shërbimeve të lindjes këtë vit, sipas një raportimi të mediumit të mbështetur nga shteti, “Daily Economic News”. Ekspertët kanë paralajmëruar një “dimër obstetrik” në kohën e rënies rekorde të lindjeve të reja.
Spitale në provinca të ndryshme, përfshirë Zhejiang-un në lindje dhe Jiangxi-në në jug, kanë njoftuar në dy muajt e kaluar se do t’i mbyllin repartet e tyre obstetrike, sipas njoftimeve që i ka parë agjencia “Reuters”.
Spitali i Pestë Popullor në qytetin Ganzhou të provincës Jiangxi në faqen e vet në “WeChat” njoftoi se puna në obstetrikë do të ndalej nga 11 marsi.
Spitali i Mjekësisë Tradicionale “Jiangshan” në Zhejiang njoftoi në faqen e vet në “WeChat” se shërbimet obstetrike do të pezullohej nga 1 shkurti.
Mbyllja e spitaleve vjen në kohën kur politikëbërësit kinezë po mundohen të gjejnë mënyra për ta shtuar dëshirën e çifteve të reja për të pasur fëmijë, përderisa autoritetet po ballafaqohen me problemin në rritje të demografisë për shkak të një shoqërie që po plaket shpejt.
Popullsia e Kinës u tkurr për vitin e dytë rresht më 2023, përderisa shkalla rekorde e ulët e lindjeve dhe numri i lartë i vdekjeve nga koronavirusi përshpejtuan një rënie për të cilën zyrtarët kanë frikë se do të ketë efekte të thella e afatgjate ndaj potencialit për rritje të ekonomisë.
Sipas të dhënave më të reja nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë, numri i spitaleve të maternitetit ra në 793 më 2021, nga 807 sa ishin më 2020.
Mediat lokale thanë se numri në rënie i të porsalindurve nënkuptonte që nuk ishte e mundshme për shumë spitale që t’i mbanin në operim repartet e tyre të obstetrikës.
“Dimri obstetrik duket se po vjen qetas” – raportoi të premten gazeta “Daily Economic News”.
Shumë gra në Kinë po vendosin që të qëndrojnë pa fëmijë për shkak të kostos së lartë të kujdesit për fëmijë, mungesës së gatishmërisë për t’u martuar ose për ta vënë pezull karrierën në një shoqëri tradicionale ku ato ende shihen si kujdestare kryesore dhe ku diskriminimi gjinor mbetet i lartë.
Autoritetet janë munduar që të zbatojnë nisma dhe masa për ta fuqizuar shkallën e lindjeve, përfshirë zgjatjen e pushimit të lehonisë, përfitimet financiare e lehtësimin nga taksat.