Shumë shtete perëndimore ofrojnë trajtim të pacientëve të Gazës në Bregun Perëndimor
Dhjetëra vende perëndimore bënë thirrje të hënën për rihapjen e korridorit mjekësor mes Gazës dhe Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, duke thënë se do të ofronin ndihmë financiare dhe staf mjekësor ose pajisje për trajtimin e pacientëve të Gazës në Bregun Perëndimor.
“Ne i bëjmë apel fuqishëm Izraelit që ta rikthejë korridorin mjekësor për në Bregun e pushtuar Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, në mënyrë që të mund të rinisin evakuimet mjekësore nga Gaza dhe pacientët të mund ta marrin trajtimin që u nevojitet aq urgjentisht në territorin palestinez” – thanë këto shtete në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga Kanadaja.
Austria, Belgjika, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Polonia dhe Bashkimi Evropian ishin në mesin e 24 nënshkruesve të deklaratës. Shtetet e Bashkuara nuk ishin në këtë listë, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".
“Ne më tej i bëjmë thirrje Izraelit që t’i heqë kufizimet ndaj dërgesave të pajisjeve mjekësore në Gaza” – thuhet në deklaratë.
Nuk pati reagim të menjëhershëm nga Izraeli. Në të kaluarën, ky shtet i ka refuzuar thirrjet që t’ua lejojë banorëve të Gazës marrjen e kujdesit mjekësor në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, më rishtazi gjatë një takimi këtë muaj mes kryediplomatit izraelit, Gideon Saar, dhe homologut të tij danez, ku ministri Saar i përmendi si arsye “shqetësimet për sigurinë”.
Izraeli ka lejuar që disa banorë të Gazës të evakuohen në shtete arabe dhe evropiane për trajtim. Palestinezët thonë se nuk kanë zëvendësim për qasje më të gjerë në spitale në territore të tjera palestineze.
Agjencitë e ndihmave thanë në fund të muajit të kaluar se vetëm një pjesë e vogël e ndihmave që nevojiten, përfshirë ato mjekësore, po arrinin te populli i Gazës që nga heqja e bllokadës izraelite ndaj ndihmave në maj.
Fotografitë e palestinezëve që po vdisnin urie, përfshirë fëmijë, kanë nxitur zemërim global kundër sulmit izraelit në Gaza, i cili për gati dy vjet ka lënë të vrarë dhjetëra mijëra njerëz./Nacionale