Shumë afër armëpushimi Izrael – Hezbollah, i thotë një burim televizionit CNN
Një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut është “shumë afër”, i tha të dielën televizionit CNN një burim rajonal, edhe pse shtimi i sulmeve izraelite e shkaktoi kalimin e një shifre të zymtë të viktimave në Liban që nga mesi i shtatorit.
Më shumë se tre mijë njerëz janë vrarë nga sulmet izraelite që nga shtimi i armiqësive në mesin e shtatorit, sipas statistikave të televizionit CNN, të mbështetura në shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit, duke e vënë në pah urgjencën për një marrëveshje armëpushimi.
Burimi rajonal la të kuptohej se përderisa marrëveshja është më afër se kurrë më parë, ajo nuk është formësuar ende plotësisht. Zyrtarë amerikanë e izraelitë paralajmëruan se ndërmjetësve nuk u është dhënë akoma drita e gjelbër.
“Ne jemi duke lëvizur në këtë drejtim, por janë ende disa çështje për t’u adresuar” – i tha televizionit CNN një zëdhënës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Ditëve të fundit, Hezbollahu ka qenë duke shqyrtuar një propozim amerikano-izraelit për 60 ditë ndërprerje luftimesh, për të cilën disa shpresojnë se mund ta ndërtojë themelin për armëpushim të qëndrueshëm.
Emisari amerikan, Amos Hochstein, ka qenë duke zhvilluar bisedime javën e kaluar me zyrtarë rajonalë në përpjekje për të arritur një marrëveshje. Të dielën, analisti i televizionit CNN dhe reporteri i uebfaqes “Axios”, Barak Ravid, citoi një burim të ketë thënë se Hochstein-i i kishte thënë ambasadorit izraelit në Uashington të shtunën se nëse Izraeli nuk i përgjigjet pozitivisht propozimit për armëpushim ditëve në vijim, ai do të tërhiqej nga përpjekjet për ndërmjetësim.
Më herët të dielën, një zyrtar izraelit i tha televizionit CNN se Netanyahu kishte mbajtur një konsultim të sigurisë në lidhje me propozimet për armëpushim.
Të shtunën, sulmet izraelite lanë të vrarë të paktën 84 njerëz, ndërsa 213 të tjerë u lënduan, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit, përfshirë gati 30 të vrarë nga një sulm ndaj një ndërtese shumëkatëshe në një lagje me popullsi të dendur në qendër të Bejrutit.