Shtyhen bisedimet e Londrës mes Ukrainës e Perëndimit
Bisedimet e paqes, të cilat pritej të zhvilloheshin të mërkurën në Londër dhe të organizoheshin nga sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, janë shndërruar në bisedime zyrtare dhe do të mbahen të mbyllura për media.
Në një deklaratë, Zyra e Jashtme e Britanisë së Madhe tha se “takimi për bisedimet e paqes për Ukrainën me ministrat e jashtëm sot do të shtyhet”, raporton gazeta “The Guardian”.
“Bisedimet në nivel zyrtar do të vazhdojnë, por do të jenë të mbyllura për media” – thuhet më tej në deklaratë.
Takimi në Londër do të ishte pasues i një organizimi të ngjashëm që ndodhi në Paris javën e kaluar, ku zyrtarë amerikanë, ukrainas e evropianë diskutuan për mënyrat e arritjes së paqes.
Objektivi në diskutimet e javës së kaluar ishte që amerikanët, evropianët dhe ukrainasit të formulonin një pozicion të përbashkët duke u munduar që ta vendosnin Uashingtonin më afër pozicionit evropian e ukrainas, thanë diplomatët evropianë.
Rubio tha javën e kaluar se një kornizë e Shteteve të Bashkuara, të cilën e propozuan në Paris ai dhe emisari Witkoff, mori pranim inkurajues. Megjithatë, burimet thanë se në mesin e propozimeve të ShBA-së ishte njohja e aneksimit ilegal të Krimesë nga Rusia, veprim i papranueshëm për Evropën e Ukrainën.