Shtetet e Bashkuara e paditin Elon Muskun - NACIONALE

Shtetet e Bashkuara e paditin Elon Muskun

1 vit më parë

nga NACIONALE

Komisioni i Sigurimeve dhe Këmbimit i Shteteve të Bashkuara (SEC) të martën ngriti padi kundër personit më të pasur në botë, Elon Musk, të cilin e akuzoi se kishte pritur shumë gjatë për të zbuluar më 2022 se kishte grumbulluar një pjesë të madhe aksionesh në rrjetin “Twitter”, kompani që më vonë do ta blinte.

Në padinë e paraqitur në gjykatën federale në Uashington D.C., Komisioni i Sigurimeve dhe Këmbimit tha se Musku e ka shkelur ligjin e sigurimeve federale duke pritur 11 ditë, shumë gjatë, për ta zbuluar blerjen fillestare të 5 për qind të aksioneve të përbashkëta të kompanisë “Twitter”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sipas një rregulle të Komisionit të Sigurimeve dhe Këmbimit, investitorët duhet të zbulojnë brenda dhjetë ditëve kalendarike, ose në rastin e Muskut deri më 24 mars 2022, kur ata e kalojnë pragun e pronësisë prej më shumë se 5 për qind të aksioneve.

SEC-ja tha se në kurrizin e investitorëve që nuk kishin dyshime, Musku bleu më shumë se 500 milionë dollarë aksione të kompanisë “Twitter” me çmime artificialisht të ulëta para se më në fund t’i zbulonte blerjet e tij më 4 prill 2022, në kohën kur tashmë kishte në pronësi 9,2 për qind të aksioneve.

Çmimi i aksioneve të kompanisë “Twitter” ishte rritur për më shumë se 27 për qind pas zbulimit të blerjeve të Muskut, tha SEC-ja.

Me padinë e së martës synohet që Musku të detyrohet për të paguar një gjobë civile dhe për ta dorëzuar fitimin që nuk e ka merituar.

Musku përfundimisht e bleu kompaninë “Twitter” për 44 miliardë dollarë në tetorin e vitit 2022 dhe ia ndryshoi emrin, duke ia lënë vetëm X.

Alex Spiro, avokat i Muskut, në një shkresë elektronike e quajti padinë e SEC-së kulmim të “fushatës shumëvjeçare të frikësimit” nga rregullatori financiar kundër klientit të tij.

Sipas revistës “Forbes”, Musku, këshilltar i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka pasuri me vlerë të 417 miliardë dollarëve. Mes tjerash, ai i ka në pronësi prodhuesin e veturave elektrike, “Tesla”, dhe kompaninë e raketave “SpaceX”./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme