Shtëpia e Bardhë: Trumpi “mbetet me shpresë e optimist” për paktin e paqes në Ukrainë - NACIONALE

Shtëpia e Bardhë: Trumpi “mbetet me shpresë e optimist” për paktin e paqes në Ukrainë

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha të hënën se presidenti amerikan, Donald Trump, “mbetet me shpresë dhe optimist se mund të arrihet një marrëveshje” për t’i dhënë fund luftës së Rusisë me Ukrainën pas bisedimeve në Gjenevë në fundjavë.

Trumpi u shpreh i zemëruar për luftën e gjatë në një shkrim të publikuar në rrjete sociale të dielën në mëngjes, duke pretenduar se Ukraina “ka shprehur zero mirënjohje” për përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës, raporton televizioni CNN.

“Presidenti e lëshoi atë deklaratë gjatë fundjavës dhe, prej atëherë, ka pasur biseda shumë produktive mes ekipit për siguri kombëtare të presidentit dhe delegacionit ukrainas” – tha të hënën zonja Leavitt për televizionin “Fox News”.

Ajo shtoi se Trumpi është “president i kohës së paqes” dhe se “ai mbetet optimist dhe me shpresë dhe unë e di se ekipet tona po punojnë vazhdimisht në përpjekje për ta çuar në fund këtë marrëveshje”.

Duke folur para gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë pas intervistës, Leavitt tha se nuk ka ndonjë takim të caktuar mes Trumpit dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Vetë Zelensky tha të hënën se me homologun amerikan, Donald Trump, do të diskutojë “çështje të ndjeshme” në lidhje me propozimin e Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Lajme të ngjashme