Shtëpia e Bardhë thotë se topi është në fushën e Hamasit për propozimin e paqes - NACIONALE

Shtëpia e Bardhë thotë se topi është në fushën e Hamasit për propozimin e paqes

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtëpia e Bardhë ka thënë se “topi është në fushën e Hamasit” sa i përket pranimit të një propozimi të ri për paqe në Gaza, pavarësisht shenjave të përziera nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që i pasqyruan përçarjet brenda koalicionit të tij.

Zëdhënësi për siguri kombëtare i ShBA-së, John Kirby, këmbënguli se bëhet fjalë për një propozim izraelit, pavarësisht nga fakti se plani ishte zbuluar nga presidenti amerikan, Joe Biden, të premten, gjatë një feste hebraike, dhe Netanyahu dukej se e sfidonte propozimin, raporton gazeta “The Guardian”.

Kryeministri izraelit para deputetëve të vendit të tij të hënën tha: “Pretendimet se ne jemi pajtuar për një armëpushim pa u përmbushur kushtet tona, janë të pasakta.”

Në anën tjetër, Kirby tha: “Kam dëgjuar deklarata të ndryshme që po vijnë nga Izraeli”, duke theksuar se ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, kishte pranuar se plani është propozim izraelit. Ai shtoi se plani me tri faza që u paraqit nga Bideni të premten “me saktësi e pasqyron propozimin në të cilin ne kemi punuar me izraelitët”.

“Hamasi tani e ka këtë propozim. E mori të enjten në mbrëmje. Po presim një përgjigje zyrtare nga ta. Do të duhej ta merrnin marrëveshjen. Kjo ua jep atyre atë që kanë qenë duke e kërkuar, që është një armëpushim dhe, me kalimin e kohës, nëpër faza, tërheqjen e mundshme të forcave izraelite nga Gaza” – shtoi amerikani Kirby.

“Është e drejtë të thuhet se topi është në fushën e Hamasit” – theksoi ai.

Zyrtarë amerikanë thanë se propozimi ishte përpunuar në diskutime mes negociatorëve amerikanë, izraelitë e kataras në javët e fundit. Megjithatë, Netanyahut iu dha një njoftim vetëm disa orë paraprakisht të premten se Bideni do ta bënte propozimin publik.

Lajme të ngjashme