Shtëpia e Bardhë “e frustruar” me Netanyahun, ka frikë se po e synon prishjen e bisedimeve - NACIONALE

Shtëpia e Bardhë “e frustruar” me Netanyahun, ka frikë se po e synon prishjen e bisedimeve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Raportohet se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është e frustruar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, pasi Izraeli bombardoi një takim të udhëheqësve të Hamasit në Katar të martën, kur thuhej se ata ishin mbledhur për të diskutuar një kornizë të propozuar nga ShBA-ja për marrëveshje armëpushimi.

Trumpi ka bërë të qartë se ka qenë i pakënaqur me sulmin e Izraelit, përfshirë shkakun se veprimi vuri në shënjestër udhëheqës të Hamasit brenda Katarit, aleat i ngushtë i ShBA-së, duke thënë pas sulmit se ai “nuk i avancon interesat e Izraelit ose të Amerikës”. Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë gjithashtu ka theksuar publikisht se “eliminimi i Hamasit është qëllim që ia vlen”, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Në një raport të mediumit “Politico” të enjten lihet të kuptohet se administrate e Trumpit është më e frustruar me situatën sesa që po e shpreh publikisht.

“Sa herë që ata po bëjnë progres, duket sikur ai [Netanyahu] bombardon dikë. Për këtë arsye, presidenti dhe ndihmësit e tij janë të frustruar me Netanyahun” – tha një person i afërt me ekipin e sigurisë kombëtare të Trumpit.

Ishte e paqartë nëse sulmi izraelit në Katar do të kishte ndikim në përpjekjet për të arritur marrëveshje për armëpushim dhe për lirim të pengjeve, por zyrtari i Hamasit, Faëzi Barhoum, tha të enjten se vrasja në tentativë e udhëheqjes së lartë të grupit ishte “vrasje e tërë procesin negociues”.

Kur u pyet se si do të ndikojë ky sulm në bisedime, Trumpi të enjten televizionit izraelit “Channel 14” i tha: “Shpresojmë se nuk do të ndikojë fare.” “Ne e duam lirimin e pengjeve dhe duam që kjo të bëhet së shpejti. Shpresojmë se ai [sulmi] nuk do të ndikojë në këtë” – shtoi presidenti amerikan.

Kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, tha në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të enjten se vendi i tij “do ta vazhdojë rolin humanitar e diplomatik pa asnjë ngurrim me qëllim të ndaljes së gjakderdhjes”.

Megjthatë, një diplomat arab i përfshirë në përpjekjet për ndërmjetësim i tha gazetës “The Times of Israel” më herët të enjten se të gjitha përpjekjet e ndërmjetësimit, të udhëhequra më parë kryesisht nga Katari dhe Egjipti, ishin ndërprerë që nga sulmi i së martës./Nacionale

Lajme të ngjashme