Shqetësimi për Ukrainën dhe religjioni - NACIONALE

Shqetësimi për Ukrainën dhe religjioni

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një fragment të famshëm të Heraklitit, Polemos (lufta), është “nëna dhe mbretëresha e të gjitha gjërave”. Për Rusonë, lufta dhe shumë konflikte të tjera, erdhën si pasojë e njeriut të parë që “pasi rrethoi një copë tokë, shpalli: Kjo është e imja.” Disa kanë parë te lufta zgjidhjen e problemeve. Të tjerë kanë parë te ajo domosdoshmërinë e zhvillimit dialektik të historisë (Hegeli) apo edhe shpërfaqjen e agresivitetit të brendshëm të njeriut (Frojdi). Lufta na vjen herë si përplasje midis popujve apo grupeve etnike ose religjioze të ndryshme, herë si pasojë e mendjeve të çmendura.

Dom Gjergj Meta - Ipeshkëv i Rrëshenit

Ne e dimë se si Neroni e dogji Romën për tekat e tij; se si Hitleri shfarosi miliona njerëz prej manisë së tij të racës ariane; se si po ashtu, “sivëllai” i tij me mustakë, Josif Stalini, shfarosi po aq në gulagët rusë. Shpeshherë historia e ka vënë njerëzimin përballë situatash dramatike dhe me siguri që përveç pandemive apo katastrofave të ndryshme natyrore, njëra prej tyre është edhe lufta. Sa konflikte e “zjarre” të hapura kemi në glob, pikërisht tani që po flasim? Ndërkohë jemi ende duke numëruar viktimat e pandemisë së COVID-19-ës, së cilës ende nuk ia dimë fundin.

Ne shqiptarët po e shohim nga “larg” luftën në Ukrainë, por jo edhe aq. Derisa nuk jemi brenda saj (në të vërtetë shqiptarët e Kosovës e kanë ende të freskët kujtimin e luftës), është e vështirë ta perceptojmë realisht çka do të thotë luftë. Sidoqoftë, edhe duke u nisur nga ky këndvështrim prej “së largu”, rrokim mjaftueshëm dhe jemi të vetëdijshëm se konflikti Rusi-Ukrainë ka hyrë në një tërthore shumë të rrezikshme. Janë angazhuar shumë faktorë, si asnjëherë tjetër, dhe bota po përjeton ethet e një lufte që mund të ketë përshkallëzime serioze për të ardhmen e planetit. Jeta mbi tokë mund të ketë zhvillime aspak të mira nëse një farë retorike kërcënuese e pasojnë veprimet e atilla.

Nëse për një çast bëjmë vetëm llogari numerike, konflikti në Siri, në Sudanin e Jugut, në Jemen apo konflikte të tjera nëpër botë, kanë shkaktuar shumë më shumë viktima se sa ai midis Rusisë dhe Ukrainës, së paku deri në ditën e sotme. Por këtu çështja nuk është thjesht shifra, madje asnjëherë nuk mund të jetë vetëm kaq. Konflikti i fundit i lindur midis shteteve të lartpërmendura po na shqetëson më shumë se gjithë të tjerët. Pse po ndodh kjo?

Arsyet janë më së paku tri dhe janë të ndërlidhura midis tyre:

E para është frika se nëse kjo luftë zgjerohet, ajo mund të na prekë edhe ne. Kjo mbart në vetvete një përbërës “egoist”, që na bën të jemi krejt të pasigurt për jetën dhe për të ardhmen tonë personale, familjare apo kombëtare. Nuk na tremb kaq fort një konflikt, fjala bie në Siri, në Sudanin e Jugut apo në Jemen, së paku ne që jemi në Europë, pasi në mendimin e parë, ata ndodhen "larg" nesh.

Së dyti, kjo luftë na shqetëson jo vetëm sepse është afër nesh, por edhe sepse ekziston rreziku real bërthamor, duke qenë se kanë hyrë në lojë superfuqitë ushtarake dhe ekonomike të planetit, të cilat i kanë në dispozicion armë të tilla. Ai të cilit i druhemi më së shumti është pikërisht rreziku i përdorimit të së papërdorshmes.

Dhe së treti, është historia jonë e Ballkanit, e cila na e mban frymën pezull me ekuilibrat e brishtë që e kanë karakterizuar gjithherë.

Pa dashur të bëj një kapërcim artificial, duhet thënë se në kontekstin e konfliktit në Ukrainë, një ndër elementet e rëndësishme është edhe religjioni. Sikurse tha këto ditë edhe Nunci Apostolik në Kiev, sigurisht që kjo nuk është një luftë fetare, por dimensioni religjioz i popujve sllavë është shumë i fortë dhe i pranishëm në shoqëri. Nëse bëjmë një kthim retrospektiv në histori, do të shohim se si në Mesjetë janë nisur luftëra e janë kryer masakra të tmerrshme nëpërmjet thirrjeve në emër të Zotit. Kjo ka ndodhur edhe në kohët moderne si pasojë e terrorizmit. Sa herë kanë ndodhur luftëra midis protestantësh e katolikësh, të krishterësh e myslimanësh, budistësh e induistësh? Mjerisht, religjioni nuk ka luajtur gjithmonë një rol paqësor në këto konflikte, madje shpeshherë i ka bekuar ato.

Duhet ta pranojmë se defaktorizimi i religjionit nga Iluminizmi, me gjithë teprimet që pati, e ridimensionoi rolin e tij në Europë dhe i solli dobi atij, duke ia hequr frenat e pushtetit kohor dhe duke i lënë në dorë sferën që i takon, “pushtetin” shpirtëror. Por fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur ende kudo, sidomos aty ku për një arsye apo një tjetër, religjioni është ende i lidhur ngushtë me pushtetin edhe e bekon atë, dhe sidomos aty ku ai identifikohet me trajtat nacionaliste të tij apo ku shteti identifikohet me një religjion të caktuar.

Nëse duhet të ketë një rreshtim të religjionit, flas së paku për atë të krishterin, i vetmi rreshtim i mundshëm është ai nga ana e viktimave të padrejtësisë, luftës, dhunës dhe shfrytëzimit, sepse kjo do të thotë të rreshtohesh nga ana e Zotit. “Çkado që keni bërë për një nga këta vëllezërit e mi më të vegjël e keni bërë për mua” (Mt 25, 40). Prandaj, në këtë pikë, religjioni dhe njerëzit që e përfaqësojnë, duhet medoemos të gjenden gjithmonë në “opozitë” me çdo pushtet që bëhet burim padrejtësie për më të brishtët.

Për fat të mirë, në shekullin XX dhe XXI janë bërë hapa të ndjeshëm përpara, në drejtim të dialogut ndërfetar e të një impakti paqësor e pozitiv të religjioneve në jetën sociale dhe në marrëdhëniet midis kombeve apo brenda kombeve me përbërje multikulturore e multifetare.

Këto ditë kemi parë e dëgjuar thirrjet e Papa Françeskut për lutje, pushim të menjëhershëm të luftës dhe krijimin e korridoreve humanitare. Po ashtu, vetë Vatikani është ofruar si palë ndërmjetësuese në këtë luftë. Në një mënyrë a një tjetër, edhe krishtërimi sllav me të gjitha degëzimet e tij, shpesh në konflikte të heshtura apo të hapura midis tyre, është duke vuajtur pasojat e veta në këtë luftë. Një numër jo i vogël priftërinjsh ortodoksë rusë, kanë bërë thirrje të vazhdueshme për pushimin e menjëhershëm të luftës. Ndoshta pritej më shumë nga Patriarku i Moskës, Kirili, i cili me siguri gjendet në një situatë të vështirë. Fjalimi i tij në fillimin e Kreshmës ortodokse, për shumëkënd la pak hapësirë për një rreze shprese paqeje, sidomos artikulimi mbi konceptin e themelimit metafizik të luftës, për të përligjur “mbrojtjen” e shoqërisë ruse nga rreziku liberalo-globalist. Kjo prirje është mjaft e rrezikshme. Sigurisht që është një temë e gjerë dhe e ndërlikuar, e cila kërkon një trajtim më vete, me delikatesë e kompetencë, por nëse po na dukej sikur i kishim lënë pas justifikimet ontologjike të “luftës së drejtë”, ato po na kthehen si hije të zeza në historinë njerëzore bashkëkohore.

Megjithatë, le të shpresojmë që pranvera, për të cilën foli Patriarku Kiril, të vijë sa më shpejt, pasi siç ka thënë Papa Françesku: Çdo luftë e lë botën më keq se sa e gjen. Lufta është një dështim i politikës dhe i njerëzimit, një dorëzim i turpshëm, një disfatë përballë forcave të së keqes.”

Kjo kolumne është shkruar ekskluzivisht për gazetën Nacionale

Lajme të ngjashme