Shqetësim për taksat e Trumpit, pësojnë rënie tregjet e aksioneve - NACIONALE

Shqetësim për taksat e Trumpit, pësojnë rënie tregjet e aksioneve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tregjet e aksioneve shënuan rënie të ndjeshme në ShBA të hënën për shkak të shqetësimit rreth ndikimit negativ ekonomik të taksave të paralajmëruara nga presidenti amerikan, Donald Trump. Në Azi, humbjet që u panë të martën herët u përmirësuan pasdite.

Kjo rënie erdhi pas një interviste të Trumpit në televizion, në të cilën tha se ekonomia më e madhe në botë është në një “periudhë tranzicioni”, kur u pyet për mundësinë që vendi të përfshihet në recesion, raporton televizioni BBC.

Që nga koha kur këto komente u transmetuan në televizion të dielën, zyrtarë të lartë e këshilltarë të Trumpit janë munduar ta qetësojnë frikën e investitorëve.

Në një intervistë në televizionin “Fox News”, të transmetuar të dielën, por të incizuar të enjten, Trumpi u duk se i njohu shqetësimet për ekonominë.

“E urrej që t’i parashikoj gjërat ashtu. Është një periudhë tranzicioni, sepse ajo që po e bëjmë ne është shumë e madhe. Po e rikthejmë pasurinë në Amerikë. Kjo është një gjë e madhe” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Të martën pasdite, “Nikkei 225” japonez shënoi rënie për 1,1 për qind, “Kospi” i Koresë së Jugut ra për 1,2 për qind, ndërsa Indeksi “Hang Seng” në Hong Kong për 0,8 për qind, përcjell gazeta "Nacionale".

Të hënën në Nju-Jork, S&P 500 e përfundoi ditën me 2,7 për qind rënie, ndërsa “Dow” ra për 2 për qind. “Nasdaq”-u u godit posaçërisht rëndë, me 4 për qind rënie.

Vlera e aksioneve të prodhuesit të njohur të automjeteve elektrike, “Tesla”, ra për 15,4 për qind, ndërsa gjiganti i inteligjencës artificiale, “Nvidia”, pësoi mbi 5 për qind rënie. Shifra negative patën edhe aksionet e gjigantëve të tjerë si “Meta”, “Amazon” dhe “Alphabet”.

“Trumpi po i mban udhëheqësit politikë duke u hamendësuar në lidhje me lëvizjet e tij të ardhshme rreth taksave, por problemi është që ai gjithashtu po i mban investitorët duke u hamendësuar dhe kjo është e pasqyruar në disponimin e zymtë të tregut” – tha Tim Waterer, kryeanalist i tregut në kompaninë e shërbimeve financiare, “KCM Trade”.

Investitorët po frikësohen se taksat e Trumpit do të çojnë në çmime më të larta dhe do ta dëmtojnë rritjen në ekonominë më të madhe në botë./Nacionale

Lajme të ngjashme