Shpëtohen punëtorët e marrë peng në një fabrikë në Turqi, arrestohet i armatosuri
Policia turke ndaloi një burrë të armatosur, i cili e kishte marrë peng stafin e punëtorëve në një fabrikë të kompanisë “P&G” në veriperëndim të Turqisë të enjten dhe shpëtoi shtatë pengje, duke i dhënë fund një proteste kundër fushatës ushtarake izraelite në Gaza, tha zyra e guvernatorit lokal.
Zyra e guvernatorit në Kocaeli tha se pengjet nuk kishin pësuar lëndime, duke shtuar se operacioni për shpëtimin e tyre ishte nisur pas dështimit të bisedimeve me pengmarrësin, raporton agjencia “Reuters”.
“Forcat tona të sigurisë ndërhynë dhe e neutralizuan të dyshuarin” – thuhet në deklaratë, ku shtohet se ai ishte punëtor i fabrikës që “donte të tërhiqte vëmendje për pushtimin e vazhdueshëm në Gaza”.
Fabrika “P&G” i falënderoi autoritetet për trajtimin e këtij rasti.
“Fakti që askush nuk u lëndua është lehtësimi ynë më i madh. Ne u jemi mirënjohës autoriteteve dhe ekipeve për reagim të parë, të cilët e menaxhuan situatën me guxim dhe profesionalizëm” – thuhet në një deklaratë të kompanisë.
“Përpjekjet tona për t’i përkrahur ata punëtorë që janë prekur më drejtpërsëdrejti, familjet e tyre dhe tërë komunitetin e P&G-së janë duke vazhduar” – tha më tej kompania.
Pengmarrësi hyri në fabrikën që ndodhet në zonën industriale “Gebze” në provincën Kocaeli rreth orës 15:00 të enjten, kishte thënë më herët agjencia e lajmeve “Demiroren”, duke shtuar se policia pastaj kishte shkuar me nxitim në vendin e ngjarjes dhe ishte munduar që ta bindte të dyshuarin që të dorëzohej.
Sipas raportimeve të mediave, në mesin e punëtorëve të marrë peng ishin gjashtë burra e një grua.
Në një fotografi të publikuar në rrjete sociale më herët shihej një burrë brenda fabrikës, fytyra e të cilit ishte e mbuluar me një shall tradicional palestinez dhe në trup kishte diçka që potencialisht mund të ishte pajisje shpërthyese.
Në një fotografi tjetër të publikuar nga vendi i ngjarjes shihej i dyshuari duke mbajtur një armë në njërën dorë dhe duke e bërë shenjën “V” me dorën tjetër përballë një muri në të cilin ishin vizatuar flamujt e Turqisë e Palestinës dhe një mbishkrim ku thuhet: “Portat do të hapen. Ose pushim në arkivol, ose vdekje për Gazën.” /Nacionale/Nasuf Abdyli