Shpërthime në Berlin, shkaktohet zjarr në pyllin e qytetit - NACIONALE

Shpërthime në Berlin, shkaktohet zjarr në pyllin e qytetit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një zjarr i madh shpërtheu në pyllin e Berlinit të enjten në mëngjes, i shkaktuar nga disa shpërthime që ndodhën në një depo municioni brenda pyllit në atë që parashikohet të jetë njëra ndër ditët më të nxehta të vitit.

Rreth 100 zjarrfikës po luftojnë kundër zjarrit në pyllin “Grunewald” të kryeqytetit gjerman, raportoi agjencia gjermane e lajmeve, DPA.

Zjarri po përhapet shpejt dhe shpërthimet masive mund të dëgjoheshin nga vendi ku është i vendosur municioni i vjetër nga Lufta e Dytë Botërore dhe ku kryhen shpërthime të kontrolluara.

“Situata është serioze”, tha Thomas Kirstein nga departamenti i zjarrfikësve të Berlinit. Ai u bëri thirrje banorëve që të qëndrojnë larg pyllit. Për shkak të mbetjeve që fluturojnë dhe rrezikut për shpërthime të tjera, departamenti i zjarrfikësve tha se ende nuk ka filluar që ta shuajë zjarrin, pasi forcat emergjente duhej të mbanin largësi prej një kilometri nga flaka.

Autoritetet e Berlinit bënë thirrje për forca shtesë për ta ndihmuar shuarjen e zjarrit, përfshirë forcat speciale të ushtrisë gjermane. Kamionët me ujë, helikopterët dhe tanket speciale për evakuim gjithashtu pritet të arrijnë në vendin e ngjarjes.

Shërbimi i trenave për në pjesën perëndimore të qytetit u pengua, ndërsa njëra nga autostradat më të rëndësishme, Avus, u mbyll.

Shtëpitë nuk ishin drejtpërdrejt të rrezikuara nga zjarri, por departamenti i zjarrfikësve paralajmëroi se zjarri mund të përhapet më tej për shkak të thatësisë në pyll dhe vapës së jashtëzakonshme që pritet të jetë të enjten. Temperatura pritet të shkojë deri në 38 gradë në Berlin./Nacionale

Lajme të ngjashme