Shpallet qyteti me ajrin më të ndotur në botë, nuk është Prishtina
Javëve të fundit është mbulur me smog të dendur. Rrjedhimisht, kryeqyteti i Vietnamit, Hanoi, po prin në listën e qyteteve më të ndotura në botë. Qeveria tha se do të ndërmarrë masa për më shumë automjete më rrymë që të lehtësohet problemi i ndotjes.
Nivelet e mikrogrimcave të vogla të rrezikshme, të njohura si PM2.5, ishin 266 mikrogramë për metër kub në Hanoi të premten herët, niveli më i lartë në mesin e listës së qyteteve më të ndotura, sipas “AirVisual”, që ofron të dhëna të pavarura globale rreth ndotjes së ajrit përmes një aplikacioni në telefon, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shteti i Azisë Juglindore, qendër rajonale e prodhimit me njërën nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Azi, ka raportuar për ndotje të rëndë të ajrit në qytetet e veta kryesore me vite, sidomos në Hanoi.
Smogu i dendur shkaktohet kryesisht nga trafiku i rënduar, djegia e mbeturinave dhe aktivitetet industriale. “Ne të moshuarit mund ta ndiejmë këtë shumë qartë, kur vuajmë nga problemet respiratore që çojnë në vështirësi të frymëmarrjes. Situata duket se është përkeqësuar rishtazi” – tha 64-vjeçari Luu Minh Duc, banor i Hanoit.

Edhe të rinjtë po ankohen. “Së pari mendova se ishte mot me mjegull... por më vonë mora vesh se ishte pluhur i hollë që e zvogëlon dukshmërinë time dhe më bën të ndihem sikur nuk është e shëndetshme të marr frymë” – tha studenti 21-vjeçar, Nguyen Ninh Huong.
Duke folur në një takim me Ministrinë e Transportit të enjten, zëvendëskryeministri Tran Hong Ha, bëri thirrje për tranzicion të përshpejtuar drejt automjeteve elektrike si pjesë e përpjekjeve për ta zvogëluar ndotjen, raportuan mediat shtetërore.
“Kjo është përgjegjësia e shtetit para popullit dhe duhet të ketë veprime të saktësuara e me kohë” – citohet të ketë thënë zyrtari i lartë qeveritar.
Ministria e Burimeve Natyrore, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të agjencisë “Reuters” për koment.
Sipas matjeve, edhe kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është në mesin e qyteteve me ajrin më të ndotur në botë ditëve të fundit./Nacionale