Shoigu thotë se Rusia ka të drejtë të përdorë armë bërthamore, nëse sulmohet nga Perëndimi
Rusia e rezervon të drejtën për të përdorur armë bërthamore në rast se ballafaqohet me agresion nga shtetet perëndimore, tha zyrtari i lartë rus i sigurisë, Sergei Shoigu, në një intervistë të enjten për agjencinë shtetërore të lajmeve, TASS.
Komentet e ish-ministrit të Mbrojtjes vijnë në kohën kur presidenti amerikan, Donald Trump, dhe nënpresidenti JD Vance kanë paralajmëruar se Uashingtoni mund të tërhiqet nga përpjekjet për të negociuar një zgjidhje për paqen në Ukrainë, nëse nuk ka progres drejt një marrëveshjeje së shpejti, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Që nga ardhja në pushtet në janar, Trumpi e ka përmbysur politikën amerikane në raport me konfliktin në Ukrainë, duke i bërë trysni Kievit për të arritur armëpushim, ndërkohë duke ia lehtësuar presionin Moskës.
Shoigu, i cili për më shumë se një dekadë kishte shërbyer në pozitën e ministrit të Mbrojtjes para se të emërohej kryetar i Këshillit të Sigurisë të Rusisë vitin e kaluar, citoi amendamente të doktrinës bërthamore ruse, e cila u miratua nëntorin e kaluar nga presidenti Vladimir Putin.
Sipas rregullave të reja, Rusia do të mund të shqyrtonte një sulm bërthamor si kundërpërgjigje ndaj një sulmi me armë konvencionale ndaj Rusisë ose aleates së saj, Bjellorusisë, që “krijon një kërcënim kritik ndaj sovranitetit dhe (ose) integritetit të tyre territorial”.
“Në rast se shtetet e huaja kryejnë veprime jomiqësore që paraqesin një kërcënim ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Federatës Ruse, vendi ynë e konsideron legjitime që të ndërmarrë masa simetrike dhe asimetrike për të shtypur veprime të tilla dhe për ta parandaluar rishfaqjen e tyre” – tha Shoigu./Nacionale