Shoigu i Rusisë thotë se prodhimi i tankeve po lulëzon - NACIONALE

Shoigu i Rusisë thotë se prodhimi i tankeve po lulëzon

1 javë më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, tha të premten se vendi i tij është duke e shtuar prodhimin e tankeve dhe të sistemeve të rënda flakëhedhëse, por se nevojitet më shumë punë për ta shtuar prodhimin e pajisjeve mbrojtëse të tankeve.

Ministria ruse publikoi një video ku Shoigu shihet duke ecur nëpër një fabrikë të tankeve në qytetin Omsk dhe duke u takuar me punëtorë, të cilët ai i çmoi për tejkalimin e caqeve të prodhimit, raporton agjencia "Reuters".

“Fabrika e Omskut është duke e përmbushur programin – mund të them se madje është duke e stër-përmbushur programin. Çështjet dhe detyrat për të cilat ne kishim vendosur gjatë vizitës sonë të kaluar janë zgjidhur pothuajse të gjitha” – dëgjohet duke u thënë ministri rus zyrtarëve.

Prodhimi i tankeve të reja është nevojë për Rusinë për shkak të humbjeve të pajisjeve të rënda gjatë dy viteve luftë në Ukrainë. Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike tha në shkurt se Rusia kishte humbur mbi tre mijë tanke në Ukrainë dhe se po detyrohej që t’i nxirrte nga depot tanket e vjetra për t’i zëvendësuar të shkatërruarat.

Shoigu i urdhëroi drejtorët e fabrikave që ta shtojnë prodhimin e pajisjeve mbrojtëse të tankeve dhe tha se rritja e dërgesave për brigadat e riparimit të tankeve është fushë kyçe e fokusit.

“Tani na duhet që t’i shtojmë në masë domethënëse pajisjet shtesë që duhet t’i vendosim në ato automjete që janë në luftime” – tha ai.

Vizita e Shoigus në fabrikë erdhi kur forcat ruse po e sulmojnë qytezën ukrainase me rëndësi strategjike, Chasiv Yar, me artileri, dronë e sulme ajrore. Ukraina thotë se Rusia synon që ta marrë nën kontroll qytezën para 9 majit, data kur Moska e shënon fitoren sovjetike kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Personeli i fabrikës në Omsk i tha ministrit Shoigu se kjo qendër e kishte rritur prodhimin e sistemeve të rënda flakëhedhëe “Solntsepek” për 2 fish e gjysmë dhe se dërgesa e ardhshme e një modeli të ri të tankut T-80BVM është e gatshme për t’u dërguar në front.

Drejtorët e fabrikës i thanë ministrit se e kanë rritur stafin për 1.200 punëtorë nga viti i kaluar dhe se po punonin vazhdimisht në dy ndërrime për ta shtuar kapacitetin e prodhimit.

Lajme të ngjashme