Shkon në mbi 50 numri i viktimave të vërshimeve në Indonezi - NACIONALE

Shkon në mbi 50 numri i viktimave të vërshimeve në Indonezi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Numri i të vdekurve nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut në Sumatran Perëndimore të Indonezisë ka shkuar në 52, ndërsa mbi tre mijë njerëz janë zhvendosur, thanë të martën autoritet, ndërsa reshjet e dendura pritet të vazhdojnë deri javën e ardhshme.

Shiu i dendur të shtunën në mbrëmje shkaktoi vërshime, rrëshqitje dheu dhe rrjedhje të lavës së ftohtë – përzierje e ngjashme me baltën e hirit vullkanik, mbetjeve nga gurët dhe ujit – në tri distrikte të provincës së Sumatras Perëndimore. Të hënën, shifra zyrtare e viktimave ishte 43, raporton agjencia “Reuters”.

Rrjedhja e lavës së ftohtë, e njohur në Indonezi si “lahar”, erdhi nga Mali Marapi, njëri nga vullkanet më aktive në Sumatra. Më shumë se 20 persona kishin humbur jetën, kur Marapi kishte shpërthyer në dhjetor. Disa shpërthime të tjera kanë ndodhur nga ajo kohë.

Nga 52 të vdekurit, më shumë se 45 tashmë janë identifikuar, tha zëdhënësi i agjencisë së fatkeqësive në Sumatran Perëndimore, Ilham Wahab. Ai shtoi se punëtorët e shpëtimit, policia dhe ushtria do ta vazhdojnë kërkimin për 17 persona që ende janë të zhdukur.

Zëdhënësi tha se 249 shtëpi, 225 hektarë tokë dhe shumica e rrugëve kryesore të tri distrikteve janë dëmtuar. Sidoqoftë, vërshimet janë qetësuar nga e diela.

Një zyrtar tha se autoritetet kanë shpërndarë tenda, batanije, ushqim, pajisje higjienike, tualete të lëvizshme dhe pajisje për pastrimin e ujit.

Megjithatë, ai shtoi se shpërndarja e ndihmave është penguar, pasi shumica e rrugëve janë të mbuluara me baltë e mbetje.

Lajme të ngjashme