Shkon në mbi 150 numri i viktimave të vërshimeve në Spanjë - NACIONALE

Shkon në mbi 150 numri i viktimave të vërshimeve në Spanjë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të paktën 158 njerëz kanë vdekur nga fatkeqësia më e rëndë me vërshime në Spanjë në disa gjenerata, përderisa ekipet e shpëtimit po mundohen të gjejnë të mbijetuar.

Të enjten, më shumë se 1.200 punëtorë, të ndihmuar nga dronët, u dislokuan në misionin e shpëtimit, përderisa shiu vazhdoi që të rrezikonte disa pjesë të vendit, raporton televizioni BBC.

“Tani për tani, gjëja më e rëndësishme është që të shpëtohen sa më shumë jetë që është e mundshme” – tha kryeministri Pedro Sanchez gjatë një vizite në komunitetet e prekura nga vërshimet.

Megjithatë, në disa prej qytezave më të prekura nga përmbytjet e së martës natën, njerëzve u mbeti detyra e nxjerrjes së trupave nga balta dhe rrënojat.

Të paktën 155 të vdekur janë regjistruar në Valencia, dy të tjerë në Castilla-La Mancha dhe një britanik në Andaluzi.

Në qytezën Paiporta të rajonit të Valencias, ku një lumë doli nga shtrati, deri më tani janë regjistruar të paktën 40 të vdekur.

“Ne të gjithë njohim dikë që ka vdekur. Është ankth” – tha farmacisti Miguel Guerrilla, duke qëndruar para barnatorës së tij, që ishte mbuluar me baltë të trashë.

Zyrtarët nuk e kanë publikuar numrin e njerëzve të zhdukur, por kanë thënë se ka “shumë”, përderisa shifra e të vdekurve u rrit edhe për rreth 60 të tjerë të enjten.

Në qytezën Chiva, afër Valencias, u regjistruan reshje sa mesatarja e një viti për vetëm tetë orë, sipas agjencisë meteorologjike spanjolle, “Aemet”.

Përderisa u lëshuan paralajmërime të tjera për motin të enjten për pjesët jugore dhe lindore të vendit, Mbreti Felipe VI paralajmëroi se emergjenca “ende nuk ka mbaruar”.

Lajme të ngjashme