Shkon në mbi 1.000 numri i të lënduarve nga tërmeti në Tajvan
Numri i personave të lënduar nga tërmeti me fuqi prej 7,2 shkallësh në lindje të Tajvanit shkoi në mbi një mijë të enjten, edhe pse shifra e të vdekurve mbeti e njëjtë – nëntë. Dhjetëra punëtorë që ishin rrugës për në një hotel në një park kombëtar u gjetën kryesisht të sigurt.
Dridhja më e fuqishme në 25 vitet e fundit në ishull ndodhi të mërkurën në mëngjes, kur njerëzit po bëheshin gati për të shkuar në punë e në shkolla. Epiqendra ishte në distriktin kryesisht rural e me popullsi të rrallë, Hualien, raporton agjencia “Reuters”.
Ndërtesat u drodhën fort edhe në kryeqytetin Taipei, por dëmet dhe pengesat në jetën publike atje ishin minimale.
Departamenti i zjarrfikësve tha se numri i të lënduarve ka arritur në 1 mijë e 58 persona, por shumica e gati 50 punëtorëve të hotelit janë lokalizuar.
Ministri i Brendshëm, Lin Yu-chang, njoftoi në rrjete sociale se ekipet e shpëtimit prisnin që të jenë në gjendje të arrijnë te punëtorët e hotelit të enjten në mbrëmje.
Ndërkohë po vazhdon puna për ta hapur rrugën drejt Tarokos, që njihet si autostrada që e përshkon grykën që e lidh Hualienin me bregdetin perëndimor të Tajvanit.
Sipas zjarrfikësve, 646 persona të tjerë janë ende të ngujuar, kryesisht në hotele dhe në një park për shkak të bllokimit të rrugëve.
Linja hekurudhore për në Hualien u rihap para afatit të planifikuar të enjten, edhe pse një stacion rural në veri të qytetit Hualien mbetet i mbyllur për shkak të dëmeve, tha administrata e hekurudhave.
Në qytetin Hualien, ku janë shpëtuar të gjithë personat që kishin mbetur të ngujuar në ndërtesa, disa njerëz fjetën nën qiell të hapur, pasi më shumë se 300 dridhje të reja e goditën rajonin, duke i shqetësuar banorët.