Shkon në 60 numri i viktimave nga shiu i dendur dhe vërshimet në Kinë
Shiu ekstrem dhe vërshimet në pjesën veriore të Kinës kanë lënë të vdekur 60 njerëz, më shumë se gjysma prej tyre në një shtëpi kujdesi për të moshuar në periferi të Pekinit.
Në Pekin, 44 njerëz vdiqën gjatë javës së kaluar, tha të enjten në një konferencë për gazetarë nënkryetari i qytetit, Xia Linmao. Të paktën 31 të tjerë ishin të zhdukur në kryeqytet dhe në provincën fqinje Hebei, thanë autoritetet.
Shiu i dendur nisi para një jave dhe e arriti kulmin përreth Pekinit dhe provincave afër tij të hënën. Brenda pak ditëve, distrikti kodrinor Miyun në verilindje të kryeqytetit pati reshje prej 573,5 milimetrash. Sa për krahasim, reshjet mesatare vjetore në Pekin janë rreth 600 milimetra, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Tridhjetë e një njerëz vdiqën në një shtëpi kujdesi në qytezën Taishitun, e cila shtrihet rreth 90 minuta larg vozitje me veturë nga Pekini qendror.
Gjithsej 69 banorë të moshuar ndodheshin në këtë qendër, kur ajo u kaplua nga vërshimet, 55 prej tyre me ndonjë lloj të të metave funksionale, thanë autoritetet. Nuk ishte e qartë nëse në mesin e të vdekurve ishte edhe ndonjë anëtar i stafit.
Gjithsej, më shumë se 300 mijë njerëz janë prekur nga reshjet dhe vërshimet në Pekin. Duke cituar të dhëna preliminare, nënkryetari i qytetit tha se janë dëmtuar më shumë se 24 mijë shtëpi, 242 ura dhe 756 kilometra rrugë.