Shkon në 56 numri i viktimave të shpërthimit vetëvrasës në Pakistan
Ka shkuar në 56 numri i të vdekurve nga shpërthimi vetëvrasës në pjesën veriore të Pakistanit, në shënjestër të të cilit ishte një tubim politik I një grupi fetar, njoftoi të martën një zyrtar qeveritar.
Zëvendëskomisioneri rajonal, Anwar-ul-Haq, paralajmëroi se numri i viktimave të sulmit të së dielës në distriktin Bajaur, në kufi me Afganistanin, mund të rritet përsëri, raporton agjencia “Reuters”.
Përgjegjësinë për sulmin në tubimin e partisë “Jamiat Ulema Islam-Fazl” e ka marrë ISIS-i. Kjo parti njihet për lidhjet e saj me islamistët e vijës së ashpër, por i dënon militantët që e synojnë rrëzimin e qeverisë.
Partia është aleate e koalicionit qeveritar të kryeministrit Shehbaz Sharif, i cili është duke u përgatitur për zgjedhjet e përgjithshme që duhet të mbahen më së largu deri në nëntor.
Kryeministri pakistanez e dënoi shpërthimin, i cili ndodhi pas disa muajve me tensione politike e krizë ekonomike, duke e cilësuar sulm ndaj procesit demokratik.
Agjencia e lajmeve e ISIS-it, “Amaq”, tha në pretendimin për këtë sulm në rrjetin “Telegram” se demokracia është armiqësore ndaj Islamit.
“Sulmi vjen në kontekstin natyral të luftës së vazhdueshme që zhvillohet nga Shteti Islamik kundër “demokracisë” si regjim armiqësor ndaj Islamit të vërtetë dhe në konflikt me ligjin e tij hyjnor”- raportoi kjo agjenci.
