Shkon në 29 numri i të vrarëve nga shpërthimi në Paksitan
Disa bomba shpërthyen në dy zyra të ndryshme politike në jugperëndim të Pakistanit të mërkurën, duke lënë të vdekur të paktën 29 persona e duke plagosur mbi 20 të tjerë, thanë zyrtarët. Rasti ndodhi vetëm një ditë para zgjedhjeve parlamentare.
Sulmet në provincën e Baloçistanit shkaktoi shqetësim për zgjedhjet në vendin aleat të Perëndimit, ku votuesit ballafaqohen me grindje politike e me një krizë ekonomike që po duket e pazgjidhshme, raporton agjencia “Associated Press”.
Të paktën 17 persona u vranë në sulmin e parë, në zyrën zgjedhore të kandidatit të pavarur, Asfandyar Khan, në distriktin Pashin, tha Jan Achakzai, zëdhënës i qeverisë provinciale. Më shumë se 20 persona të tjerë u plagosën, ndërsa policia tha se disa prej tyre ishin në gjendje kritike.
Pak më vonë, një shpërthim tjetër la të vdekur të paktën 12 persona në zyrën e një partie islamiste në Qilla Saifullah, rreth 130 kilometra larg vendit ku ndodhi shpërthimi i parë, thanë autoritetet lokale. Të paktën tetë persona u plagosën.
Udhëheqësit e partisë “Jamiat Ulema Islam”, e cila ka lidhje të ngushta me talibanët e Afganistanit, janë sulmuar nga ISIS-i dhe militantë të tjerë viteve të fundit. Kryetari i partisë, Fazlur Rehman, dhe shumë kandidatë të saj po i kontestojnë zgjedhjet në mbarë vendin.
Nacionalistët në mënyrë tipike i sulmojnë forcat e sigurisë – jo caqet civile ose politike në provincë. Grupi i jashtëligjshëm, Ushtria Çlirimtare e Baloçistanit, ka qenë prapa shumë sulmeve ndaj forcave të sigurisë, përfshirë një më 30 janar që la gjashtë të vrarë.