Shkencëtarët thonë se mund ta heqin HIV-in nga qelizat me teknologjinë nobeliste “Crispr” - NACIONALE

Shkencëtarët thonë se mund ta heqin HIV-in nga qelizat me teknologjinë nobeliste “Crispr”

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkencëtarët thonë se e kanë eliminuar me sukses virusin HIV nga qelizat e infektuara, duke e përdorur teknologjinë “Crispr” për ndryshimin e gjeneve, për të cilën është dhënë Çmim Nobel.

Shpresa është që përfundimisht të arrihet mundësia që tërë trupi i njeriut të çlirohet nga virusi, edhe pse nevojitet edhe shumë më shumë punë për të vërtetuar nëse kjo metodë do të ishte e sigurt dhe efikase, raporton televizioni BBC.

Ilaçet ekzistuese kundër HIV-it mund ta ndalin virusin, por jo ta eliminojnë atë.

Ekipi i Universitetit të Amsterdamit, duke prezantuar një abstrakt të gjetjeve të tyre të hershme në një konferencë mjekësore këtë javë, theksuan se puna e tyre mbetet thjesht “dëshmi e konceptit” dhe nuk do të bëhet shërim për HIV së shpejti.

Me këtë vlerësim pajtohet edhe Dr. James Dixon, profesor i asocuar i teknologjisë së terapisë së gjeneve në Universitetin e Nottingham-it, duke thënë se rezultatet e plota prapëseprapë kërkojnë shqyrtim.

“Shumë më shumë punë do të nevojitet për të demonstruar se rezultatet në këto analiza qelizash mund të ndodhin në një trup të tërë për një terapi të ardhshme” – tha ai.

“Do të nevojitet shumë më shumë zhvillim para se kjo të mund të ketë ndikim tek ata që janë me HIV” – shtoi profesori Dixon.

Edhe shkencëtarë të tjerë po mundohen që ta përdorin teknologjinë “Crispr” kundër HIV-it. Kompania “BioTherapeutics” thotë se pas 48 javëve, tre vullnetarë me HIV nuk kanë efekte anësore serioze.

Megjithatë, Dr. Jonathan Stoye, ekspert i viruseve në Institutin “Francis Crick”, tha se largimi i HIV-it nga të gjitha qelizat që mund ta strehojnë atë në trup është “tepër sfidues”.

“Efektet jashtë cakut të trajtimit, me efekte anësore afatgjate të mundshme, mbeten shqetësim. Prandaj, duket me gjasë që shumë vjet do të kalojnë para se të bëhet rutinë ndonjë terapi e tillë e mbështetur në “Crispr” – edhe duke supozuar se ajo mund të dëshmohet se është efikase” – paralajmëroi ai.

Virusi HIV i infekton dhe i sulmon qelizat e sistemit imunitar, duke e përdorur makinerinë e tyre për të prodhuar kopje të vetes. Shumica e njerëzve me HIV kanë nevojë për terapi antiretrovirale gjatë tërë jetës. Nëse ndërpritet marrja e terapisë, virusi mund të rizgjohet dhe të shkaktojë përsëri probleme.

Lajme të ngjashme