Shkencëtarët mundohen që ta mësojnë robotin që të qeshë në kohën e duhur
Shkencëtarët janë duke zhvilluar një sistem të inteligjencës artificiale me qëllim të krijimit të qeshjes në mënyrën e duhur dhe në kohën e duhur nga robotët e avancuar.
Ekipi prapa robotit që qesh, i quajtur Erica, thonë se ky sistem do të mund t’i përmirësonte bisedat e natyrshme mes njerëzve dhe sistemeve të inteligjencës artificiale, shkruan “The Guardian”, përcjell Nacionale.
“Ne mendojmë se njëri nga funksionet e rëndësishme të inteligjencës artificiale bisedore është empatia”, tha Dr. Koji Inoue nga Universiteti i Kyoto-s, autor udhëheqës i hulumtimit të publikuar në revistën “Frontiers in Robotics and AI”.
Inoue dhe kolegët e tij kanë vendosur që sistemit të tyre të inteligjencës artificiale t’ia mësojnë artin e qeshjes në bisedë. Ata kanë grumbulluar të dhëna trajnuese nga më shumë se 80 dialogë në takime romantike mes studentëve meshkuj dhe robotit, i cili fillimisht operohej nga katër aktore amatore femra.
“Sfida jonë më e madhe në këtë punë ishte identifikimi i rasteve aktuale të qeshjes së përbashkët, që nuk është e lehtë, sepse, siç dini, shumica e qeshjes nuk ndahet aspak me të tjerët. U desh që të kategorizojmë saktësisht cilat qeshje do të mund t’i përdornim për analizë dhe jo vetëm të supozonim se cilësdo qeshje mund t’i bëhet reagim”, tha Inoue.
Ekipi i shkencëtarëve e testoi “sensin e humorit” të robotit duke krijuar katër dialogë të shkurtër për t’i zhvilluar me një person, duke e integruar algoritmin e ri të qeshjes së përbashkët në softuerin ekzistues të bisedës.
Ekipi tha se qeshja mund të ndihmojë për krijimin e robotëve me karakterin e tyre të dallueshëm. Sidoqoftë, Inoue shtoi se mund të nevojiten më shumë se 20 vjet para se të jetë e mundur që të zhvillohet bisedë e rëndomtë me një robot si me një shok ose shoqe./Nacionale
