Shkencëtarët e BE-së: Bota e pati janarin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë
Bota e ka përjetuar janarin më të nxehtë që është regjistruar ndonjëherë, duke e vazhduar periudhën e nxehtësisë së jashtëzakonshme, të nxitur nga ndryshimet klimatike, tha të enjten Shërbimi “Copernicus” për Ndryshime Klimatike i Bashkimit Evropian.
Muaji i kaluar e theu rekordin e janarit më të nxehtë, që ishte regjistruar më 2020, në të dhënat e këtij shërbimi që datojnë nga viti 1950, raporton agjencia “Reuters”.
Janari i jashtëzakonshëm erdhi pas regjistrimit të vitit 2023 si më i nxehti i planetit që nga fillimi i grumbullimit të të dhënave në planet më 1850, përderisa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu dhe fenomeni “El Ninjo” i motit, i cili i ngroh ujërat sipërfaqësore në lindje të Oqeanit Paqësor, shkaktuan ngritje të temperaturave.
Secili muaj nga qershori ka qenë më i nxehti në botë që është regjistruar ndonjëherë, në krahasim me muajt përkatës të viteve të kaluara.
“Jo vetëm që është janari më i nxehtë që është regjistruar, por ne gjithashtu porsa e kemi përjetuar periudhën 12-mujore me mbi 1,5 gradë mbi periudhën referuese para-industriale” – tha nëndrejtoresha e Shërbimit “Copernicus”, Samantha Burgess.
“Pakësimet e shpejta të lirimit të gazrave serrë janë mënyra e vetme për ta ndalur ngritjen e temperaturave globale” – shtoi ajo.
Shkencëtarët amerikanë kanë thënë se viti 2024 ka 33 për qind gjasë që të jetë edhe më i nxehtë se viti i kaluar dhe 99 për qind gjasë që të renditet në pesë vitet më të ngrohta.