Shkenca i “bashkon” ShBA-në e Rusinë, astronautët e tyre nisen bashkë për në hapësirë - NACIONALE

Shkenca i “bashkon” ShBA-në e Rusinë, astronautët e tyre nisen bashkë për në hapësirë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Katër astronaut, që përfaqësojnë katër shtete dhe agjenci hapësinore, u nisën të shtunën herët me një raketë të kompanisë “SpaceX” drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. Pritet që ky mision të zgjatë gjashtë muaj.

Ekuipazhi është duke udhëtuar brenda kapsulës “Crew Dragon Endurance” gjatë misionit të quajtur “Crew-7”. Anija kozmike u nis përmes raketës “Falcon 9” nga Qendra Hapësinore “Kennedy” e NASA-s në Florida në orën 3 e 27 minuta të mëngjesit të shtunën, raporton televizioni CNN.

Katër astronautët e këtij misioni janë Jasmin Moghbeli e NASA-s, komandante e misionit, astronauti danez, Andreas Mogensen, i cili e përfaqëson Agjencinë Evropiane të Hapësirës, Satoshi Furukawa i Agjencisë Japoneze për Eksplorimin e Hapësirës dhe kozmonauti rus, Konstantin Borisov, anëtar i agjencisë ruse të hapësirës, “Roscosmos”.

Pas arritjes në orbitën e Tokës, kapsula “Crew Dragon” u shkëput nga raketa “Falcon 9”, duke e nisur udhëtimin ndaras nëpër orbitë. Anija kozmike do të kalojë për më shumë se 24 orë duke manovruar me kujdes drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, i cili bën orbitë rreth 420 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës.

“Udhëtimi në hapësirë është i vështirë, por ju e bëni atë që të duket i lehtë”- i tha qendrës së kontrollit të misionit astronautja Mohbeli nga kapsula pas fillimit të fluturimit. “Ne jemi një ekip i bashkuar me një mision të përbashkët”- shtoi ajo.

Pritet që ekuipazhi të arrijë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës rreth orës 8 e 38 minuta të dielën në mëngjes, sipas zonës kohore lindore të ShBA-së.

Pasi të arrijnë atje, katër astronautët e tri kontinenteve do të bashkohen me shtatë astronautë të tjerë, të cilët tashmë ndodhen në laboratorin në lëvizje. Astronautët e misionit “Crew-7” do të kalojnë rreth pesë diët duke i marrë në dorë operacionet nga astronautët e misionit “Crew-6”, të cilët ndodhen në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës nga muaji mars.

Lajme të ngjashme