Shkarkohet pas vetëm gjashtë muajve në pushtet kryeministri i Haitit, Garry Conille
Kryeministri i Haitit, Garry Conille, është shkarkuar nga këshilli udhëheqës i vendit pas më pak se gjashtë muajve pas marrjes së detyrës.
Në një urdhër ekzekutiv, të nënshkruar nga tetë prej nëntë anëtarëve të këshillit, si pasardhës i tij u emërua ish-kandidati për Senat, Alix Didier Fils-Aime, raporton televizioni BBC.
Cinille, ish-zyrtar i Kombeve të Bashkuara, ishte vënë në krye të Qeverisë gjatë një krize të vazhdueshme të sigurisë dhe pritej të ndihmonte në hapjen e rrugës për mbajtjen e zgjedhjeve të para presidenciale që nga viti 2016.
Ai e përshkroi shkarkimin e tij si të paligjshëm, duke thënë në një letër të parë nga agjencia e lajmeve “Reuters” se ky veprim ngre “shqetësime serioze” për të ardhmen e Haitit.
Haiti tani për tani nuk ka as president, as përbërje të Kuvendit dhe, sipas kushtetutës së vendit, vetëm deputetët mund ta shkarkojnë kryeministrin.
“Ky vendim, i marrë jashtë çfarëdo kornize ligjore dhe kushtetuese, ngre shqetësime serioze për legjitimitetin e tij” – citohet të ketë thënë kryeministri i shkarkuar në letrën e tij.
Këshilli presidencial tranzitor i Haitit (TPC) u themelua në prill, pasi kryeministri i mëparshëm, Ariel Henry, u detyrua që të largohej nga pushteti nga një rrjet i bandave që kishin marrë nën kontroll disa pjesë të kryeqytetit Port-au-Prince.
Henry u largua nga Haiti për të marrë pjesë në një samit në Guyana më 25 shkurt 2024 dhe anëtarët e bandave më pas e morën nën kontroll aeroportin ndërkombëtar të qytetit, duke ia parandaluar atij kthimin në vend.
Këshilli presidencial tranzitor ishte ngarkuar me detyrën e ritkhimit të rendit demokratik në shtetin e Karaibeve, ku dhuna e tillë është e shpeshtë.
Më shumë se 3.600 njerëz janë vrarë në Haiti nga janari dhe mbi 500 mijë të tjerë janë detyruar që të largohen nga shtëpitë e tyre, sipas OKB-së, që e përshkruan Haitin si njërin nga shtetet më të varfra në botë.
Sipas të dhënave të OKB-së, më shumë se dy milionë haitianë tani për tani ballafaqohen me nivele urgjente të urisë, ndërsa gati gjysma e popullsisë “nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë”./Nacionale