Shifër marramendëse: Kina do ta rrisë buxhetin ushtarak për 7,2 për qind këtë vit - NACIONALE

Shifër marramendëse: Kina do ta rrisë buxhetin ushtarak për 7,2 për qind këtë vit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kina tha të mërkurën se do ta rrisë buxhetin e mbrojtjes për 7,2 për qind këtë vit, përderisa po e vazhdon fushatën për të ndërtuar një ushtri më të madhe e më moderne për t’i mbrojtur pretendimet territoriale dhe për ta sfiduar udhëheqësinë amerikane të mbrojtjes në Azi.

Shpenzimet ushtarake të Kinës mbeten të dytat më të mëdhatë në botë pas atyre të Shteteve të Bashkuara dhe fuqia aziatike tashmë e ka forcën detare më të madhe në planet, raporton agjencia e lajmeve “Asssociated Press”.

Buxheti, që arrin në rreth 245 miliardë dollarë, u njoftua në Kongresin Kombëtar Popullor, takim vjetor i legjislaturës kineze. Pentagoni dhe shumë ekspertë thonë se shpenzimet e përgjithshme të Kinës në fushën e mbrojtjes mund të jenë për 40 për qind më të larta ose më shumë për shkak të produkteve të përfshira në buxhete të tjera.

Rritja e buxhetit është e të njëjtit nivel si ajo e vitit të kaluar, dukshëm më e ulët se përqindja dyshifrore e viteve të mëparshme dhe e pasqyron ngadalësimin e përgjithshëm në ekonomi. Udhëheqësit e vendit kanë caktuar një shënjestër për rritje ekonomike prej rreth 5 për qind këtë vit.

Tensionet me Shtetet e Bashkuara, Tajvanin, Japoninë e me vendet fqinje që kanë pretendime që bien ndesh mes vete në Detin Jugor të Kinës shihen si nxitëse për shpenzime në teknologji ushtarake gjithnjë më të avancuara. Këtu përfshihen aeroplanët luftarakë, tri aeroplanmbajtëset e Kinës, që së shpejti pritet të bëhen katër, dhe një zgjerim i madh i arsenalit bërthamor.

Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës – dega ushtarake e Partisë Komuniste – ka ndërtuar baza në ishuj artificialë në Detin Jugor të Kinës, por objektivi kryesor i saj është imponimi i kontrollit kinez mbi Tajvanin, demokraci vetëqeverisëse për të cilën Kina pretendon se është pjesë e territorit të saj e që ka lidhje të ngushta me ShBA-në./Nacionale

Lajme të ngjashme