Shi i dendur e vërshime në Kinë, së paku 38 të vdekur
Reshjet sa gati mesatarja e një viti shkaktuan vërshime dhe rrëshqitje dheu që morën me vete vetura, detyruan njerëz që të zhvendoseshin dhe lanë pa rrymë komunitete afër kryeqytetit kinez, duke lënë të vdekur të paktën 38 njerëz deri të martën, përderisa puna e kërkim-shpëtimit vazhdoi.
Rreziku nga vërshimet për disa pjesë të Pekinit, provincës Hebei dhe qytetit fqinj Tianjin mbetën të larta deri të martën në mbrëmje, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Kryeministri Li Qiang tha se shiu i dendur dhe vërshimet në distriktin Miyun të Pekinit, i cili është goditur rëndë, shkaktuan “viktima serioze” dhe bëri thirrje për përpjekje shpëtimit, sipas agjencisë kineze të lajmeve, “Xinhua”.
Gazeta “Beijing Daily”, e cila përkrahet nga shteti, raportoi se në qytet kanë rënë 54,3 centimetra shi në katër ditët e fundit, pak më pak se 60 centimetrat e reshjeve që bien zakonisht brenda një viti.
Stuhia shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në më shumë se 130 fshatra në Pekin, shkatërroi linja komunikimi dhe dëmtoi më shumë se 30 segmente rrugësh.
Autoritetet lokale thanë se 28 njerëz vdiqën në Miyun dhe dy të tjerë në distriktin Yanqing të hënën. Katër njerëz të tjerë në provincën Hebei u gjetën ët vdekur të martën.